Qeveria e Tanzanisë planifikon të zgjerojë zonat e mbrojtura të natyrës, duke rezultuar në dëbimin e popullit Maasai nga rezervat e tyre. Në vend të kësaj, është planifikuar turizmi luksoz. Dhe djali i Trump thuhet se ka një rol në të.
Jeta e komunitetit Maasai në Tanzani po bëhet gjithnjë e më e vështirë, tha për DW përfaqësuesi lokal i këtij populli. Për arsye sigurie, ai dëshiron të mbetet anonim. Shumë përfaqësues të këtij populli janë arrestuar dhe ndaluar për kritika ndaj planeve të qeverisë në vitet e fundit.
“Para disa ditësh vdiqën dy gra shtatzëna”, tha një pjesëtare e këtij fisi. Ajo sqaroi se për shkak të reshjeve të dendura, rrugët ishin të pakalueshme për shërbimet e urgjencës dhe shtoi: “Pothuajse çdo javë kemi një grua shtatzënë që vdes në rezervatet Ngorongoro dhe Loliondo”.
Burime të tjera, tek të cilat DW kishte akses, i konfirmojnë këto pretendime. Populli Maasai fajëson qeverinë e Tanzanisë për këto tragjedi. Shërbimit lokal të transportit ajror, i cili zakonisht transporton pacientë në raste urgjente, iu hoq licenca nga qeveria më shumë se dy vjet më parë. Ekziston një dyshim se kjo është pjesë e një plani më të madh, përkatësisht për të shkurtuar kujdesin shëndetësor ose arsimin në zonat e banuara nga populli Maasai – për t’i detyruar ata të lënë përfundimisht savanat e tyre në veri.
Një përfaqësues i qeverisë së Tanzanisë i dha fund telefonatës kur një gazetar i DW bëri pyetje në lidhje me problemet në rritje në kujdesin shëndetësor.
Më shumë zona të mbrojtura të natyrës – me çfarë kostoje?
Presidentja e Tanzanisë Samia Suluhu Hassan ka plane të mëdha. Ajo kërkon të rrisë sipërfaqen nën mbrojtje të natyrës nga mbi 30 për qind aktuale në 50 për qind të territorit shtetëror. Nëse këto plane realizohen, ky vend i Afrikës Lindore do të jetë lider në botë. Komuniteti ndërkombëtar synon të mbrojë rreth 30 për qind të sipërfaqes së Tokës deri në vitin 2030.
E megjithatë, këto plane kanë pasoja katastrofike për Tanzaninë. Sipas ligjit, njerëzit nuk lejohen të jetojnë në zona të mbrojtura, as nuk lejohet ndërtimi i shtëpive, shkollave apo spitaleve. Megjithatë, infrastruktura turistike është e përjashtuar nga ky ndalim. Infrastruktura shtetërore, e cila tashmë ekziston, tani është lënë në prishje, thotë Joseph Oleshangay, një shef Maasai në rrethin Ngorongoro dhe një avokat që përfaqëson komunitetin Maasai në shumë çështje gjyqësore.
“Që më 12 prill 2021, qeveria shpalli publikisht shkatërrimin e nëntë shkollave shtetërore, gjashtë qendrave shëndetësore, nëntë zyrave komunale dhe katër kishave”. Më pas ky avokat ngriti një padi kundër kësaj. Gjykata vendosi në favor të tij dhe urdhëroi qeverinë të ndalonte planet e mëtejshme – por gjithçka ishte e kotë, thotë avokati. “Tani kemi dhoma urgjence që nuk kanë asnjë ilaç kundër dhimbjeve për fëmijët”. Kjo situatë e dëshpëruar u konfirmua nga burime të tjera që dëshiruan të mbeten anonime.
Turizëm luksoz në vend të blegtorisë
Duke zgjeruar zonat e mbrojtura, Tanzania pret investime të huaja në miliarda dollarë, si dhe një numër shumë më të madh turistësh. Më shumë se një milion njerëz kanë vizituar parqet e saj natyrore vitet e fundit.
Kina ka investuar më shumë se nëntë milionë dollarë në një park gjeologjik në kraterin Ngorongoro. Zona për kampe turistike, hotele luksoze dhe zona pikniku me platforma shikimi është gjithashtu e rrethuar. Maasai, paraardhësit e të cilëve zotëronin tokën, duhet të qëndrojnë jashtë këtyre zonave tashmë të mbrojtura. Emiratet e Bashkuara Arabe po investojnë më shumë se shtatë miliardë dollarë në Tanzani, duke përfshirë investimet në terrenet e gjuetisë në rrethin Loliondo. Lozha luksoze dhe pista ajrore për avionët privatë do të strehojnë sheikët, të cilët vijnë për të gjuajtur gjahun. Kjo zonë është gjithashtu e rrethuar, megjithëse dikur ka qenë kullotë për bagëtinë Maasai gjatë stinës së thatë.
Në qershor 2023, Donald Trump Jr., djali i ish-presidentit amerikan Donald Trump, vizitoi ato zona. Gjuetari i zjarrtë i gjahut të madh u takua me ministrin e Turizmit të Tanzanisë, Mohamed Mchengerwa. Ministri emëroi Trump Junior si ambasadorin e turizmit të Tanzanisë, i cili duhet të tërheqë gjuetarë të pasur nga SHBA. Gjatë presidencës së babait të tij, Donald Trump, SHBA përsëri lejoi importin e trofeve të gjuetisë. Që atëherë, gjuetarët amerikanë të gjahut të mëdhenj – pas sheikëve arabë – janë bërë klientët dhe turistët më fitimprurës të Tanzanisë. Aktualisht në parlamentin e Tanzanisë po diskutohet një projektligj, i cili parashikon krijimin e zonave të reja të mbrojtura dhe DW e ka parë draftin. Ai përmend një “plan strategjik” faza e ardhshme e të cilit duhet të përfundojë deri në vitin 2026. Në harta janë shënuar zona të reja të mbrojtura dhe gjuetie, si dhe “zona investimi” ku do të ndërtohen hotele luksoze.
Sipas këtij plani, të paktën 100 fshatra të tjerë Maasai duhet të dëbohen. Kjo do të thotë se gjithsej 300,000 njerëz do të dëbohen, shpjegojnë organizatat joqeveritare dhe të prekurit. “Nëse këto plane realizohen, populli Maasai do të humbasë 80 deri në 90 përqind të tokës së tyre,” tha Roman Herre i organizatës joqeveritare gjermane FIAN, e cila mbron të drejtat e popullit Maasai. “Kjo do të thoshte një fund pothuajse i plotë për komunitetin e tyre tradicional të jetesës.”
600 kilometra në komunitetin e ri
Për të krijuar vend për investitorët e mëdhenj, qeveria e Tanzanisë ndërtoi një vendbanim për njerëzit Maasai në lindje të vendit në Msomera, në rrethin Handeni. Ky vendbanim është rreth 600 kilometra larg banesave të tyre të mëparshme dhe zonave ku ata kanë jetuar në përputhje me traditat e tyre. Tani ky popull gjysmë nomad duhet të jetojë në shtëpi moderne prej guri. Në fillim të qershorit, qeveria njoftoi me krenari se 600 anëtarë të popullit Maasai ishin zhvendosur në Msomer. Kjo e çon numrin e njerëzve të zhvendosur në rreth 9,000, plus transferimin e rreth 40,000 kafshëve shtëpiake, siç raportohet nga media tanzaniane The Citizen. Komisioneri kompetent, Wilson Sakulo, theksoi se anëtarët e popullit Maasai po largohen nga atdheu i tyre “plotësisht vullnetarisht” – dhe u bëri thirrje atyre që të mos frikësohen nga “i gjithë ai keqinformim”.
Fondet e ngrira për shkak të shqetësimeve të të drejtave të njeriut
Deri më tani, planet e Tanzanisë për të zgjeruar zonat e mbrojtura janë mbështetur nga një sërë partnerësh ndërkombëtarë, duke përfshirë qeverinë gjermane. Për sa i përket mbrojtjes së natyrës, Tanzania ka qenë vendi partner më i rëndësishëm i Gjermanisë në Afrikë për dekada. Banka gjermane e kreditit për zhvillim për rindërtimin KfW (Kreditanstalt für Wiederaufbau) deri më tani ka siguruar pothuajse 30 milionë euro për programet e mbrojtjes së natyrës në Tanzani. Një pjesë e vogël e kësaj shume, rreth 220,000 euro, ishte ngrirë vitin e kaluar për shkak të shqetësimeve se mbi dëbimin e anëtarëve të popullit Maasai.
Banka Botërore ka mbajtur gjithashtu 150 milionë euro për zhvillimin e turizmit në Tanzani për shkak të shqetësimeve të të drejtave të njeriut. Komisioni Evropian ka tërhequr edhe një tender, me vlerë rreth dhjetë milionë euro.
Nga ana tjetër, në fillim të vitit 2024, KfW miratoi një rritje të fondeve gjermane për mbrojtjen e natyrës në vlerë prej nëntë milionë euro. E pyetur nga DW, banka e zhvillimit nga Frankfurti saktësoi se një pjesë e fondeve janë të destinuara për komunitetet e popullit Maasai pranë zonave të mbrojtura, për qendra të reja shëndetësore dhe shkolla. Këto janë komunitete në afërsi, ku u shpërngulën anëtarët e popullit Maasai, të cilët nuk donin të shkonin në Msomera. Kritikët pretendojnë se Gjermania po financon në mënyrë indirekte politikën e dëbimit të kryer nga qeveria e Tanzanisë. /tesheshi.com/