“Kur flasim për varësinë, njerëzve zakonisht u shkon në mendje duhani, droga apo alkooli”, thotë Dr Hakima Boualem, udhëheqëse e stafit mjekësor të qendrës për trajtimin e varësisë në klinikën Bachir Mentouri në Constantine.
“Por, për disa tjerë, kjo varësi është lufta me internetin – veçanërisht me ‘kutinë e kaltër magjike’ të Facebook-ut”.
Majin e kaluar, specialistët e varësisë dhe psikologët në klinikën e Bachir Mentouri, që ndodhet 450 km në lindje të kryeqytetit të Algjerisë, kanë shpalosur programin për rehabilitim të projektuar për përdoruesit e varur nga teknologjia, veçanërisht nga rrjetet sociale. Kjo është klinika e parë në Algjeri dhe në Afrikë që ka për qëllim kurimin e fanatikëve të internetit.
Algjeria i është bashkangjitur listës së vendeve që kanë hapur qendra rehabilitimi për ndihmë ndaj personave që vuajnë nga obsesioni pas internetit. Në Korën Jugore, 14 përqind e adoleshentëve janë të varur nga interneti.
Ndryshe nga Korea Jugore, në Algjeri interneti ka depërtuar më ngadalë, duke filluar me shërbimin e mirëpritur 3G vetëm rreth tre viteve më parë. Shkalla e depërtimit të internetit në Algjeri mbetet relativisht e ulët, diku 32,8 përqind në vendin me 40 milion banorë.
Sot, shteti afrikano-verior numëron më shumë se 9 milion përdorues të Facebook-ut sipas analistëve dixhitalë algjerianë të marketingut. Por, ky përdorim në rritje i internetit ka ardhur me një çmim.
Një numër i madh i përdoruesve të internetit janë duke humbur kontrollin.
Edhe pse nuk ka ende një përkufizim formal të asaj që përfshin varësia prej internetit, ekspertët shëndetësorë në klinikë pajtohen se përdorimi i tepruar i tij është ngritur si një çështje kombëtare në vend.
Që nga maji, ajo ka takuar më shumë se 100 pacientë të cilët kalojnë tërë ditën online, nga lindja deri në perëndim të diellit, duke u përfshirë nëpër forume të ndryshme, dhe mediat sociale – ndonjëherë pa pushim për të ngrënë ose madje duke përdorur internetin edhe në banjo.
Për pasojë, shëndeti i tyre fizik ka pësuar rënie. “Shumica e tyre vuajnë nga dhimbje të shpinës, sytë e skuqur dhe dhimbje koke”, sqaron Hemadina. “Në fakt, ata kanë shumë simptoma të ngjashme me ato të përdorimit të drogës. Nëse nuk kanë mundësi për t’u kyçur online, web-fanatikët ndjehen nervozë dhe mund të tregojnë agresivitet ose ankth”.
Pacientët në klinikë janë kryesisht të moshës 15 deri 40 vjeçare.
“Një i ri i cili shkoi në klinikë për shkak të keqpërdorimit të drogës, mori vesh për obsesionin pas internetit dhe kërkoi ndihmë, duke sqaruar se familja e tij nuk kishin mundësi ta largonin atë nga ekrani, madje as prindërit e tij. Ata kishin ardhur deri në pikën kur nuk po flisnin njëri me tjetrin dhe nuk po hanin së bashku në tryezë. Ai thotë se nuk mund të vazhdonte më me këtë jetë të intoksikuar. Prindërit e tij dhe të tre vëllezërit e tij u pajtuan që të përfshihen në programin tonë të rehabilitimit në kohëzgjatje prej katër muaj”, sqaron dr. Hemadna.
“Pacientët vijnë te ne në radhë të parë për shkak se ata duan të kurohen nga varësia e drogës. Por, sa më shumë që flasim me ta, aq më shumë shohim se ata vuajnë nga një tjetër varësi…makthi i internetit”, shton ajo.
Përdorimi i tepruar i internetit nuk është domosdoshmërisht patologjike, thonë ekspertët. “Njerëzit mund të kalojnë çdo ditë orë të tëra para ekranit pa qenë të varur. Dallimi kyç në mes të një varësie dhe një shprehie të keqe qëndron në përdorimin e internetit deri në atë masë, ku ti nuk mund të vendosësh një kufi të përdorimit të tij”.
Për disa përdorues, të kyçurit online është po aq e rëndësishme sa edhe frymëmarrja, të ushqyerit ose madje të fjeturit. “Ne po flasim për njerëz të cilët e vënë jetën e tyre në rrezik”, thotë Djamel Berkat, një specialist i varësisë në klinikën Bachir Mentouri.
Qershorin e kaluar, kur qeveria algjeriane vendosi që të bllokojë të gjitha rrjetet sociale në mbarë vendin për një javë në përpjekje për të penguar mashtrimet e nxënësve në provimet e shkollave të mesme, disa të varur nga internet arritën pikën e krizës.
Programi për rehabilitim nga internet paguhet në tërësi nga qeveria algjeriane.
“Në Bachir Mentouri, ne konsiderojmë se varësia nga interneti është e njëjtë me llojet tjera të varësisë”, tha Boualem.”Kurimi fillon me një vlerësim të plotë psikologjik. Gjatë sesionit të parë, ne njihemi me pacientin, ndërsa gjatë seancës së dytë ne përpiqemi të gjejmë arsyet e vërteta të varësisë së tyre”.
“Obsesioni pas internetit, si çdo varësi tjetër, është vetëm maja e një ajsbergu. Ne shpesh gjejmë probleme mendore dhe psikologjike te këta persona” shton Boualem.
Në vendin ku miliona të rinj janë të papunë, ku ¼ e popullatës është nën 24 vjeç, shumë algjerianë kalojnë natën nëpër cyber-kafe duke u kyçur nëpër rrjetet sociale, për shkak se nuk kanë shumë vende ku të kalojnë kohën e tyre. “Është një ikje nga realiteti, por në fund ata përfundojnë të zhytur në botën dixhitale”, thotë Berkat.
Ulur pranë tij, Boualem thekson se prindërit mund të ndajnë një pjesë të përgjegjësisë. ”Ata shpesh inkurajojnë fëmijët e tyre të përdorin teknologjinë, pa qenë të vetëdijshëm për dëmin që mund të bëjë ai për ta”.
Është shumë heret të thuhet nëse klinika për trajtim Bachir Mentouri mund të kurojë të varurit nga internet. Më shumë studime duhet bërë, thonë ekspertët. “Ne po fluturojmë verbër, sepse kemi bërë shumë pak hulumtime në lidhje me këtë sëmundje të re”, thotë Berkat.
Në mënyrë të ngjashme, Bougouffa pohon: “Ne kemi parë anën e mirë dhe anën e keqe të internetit. Tani është koha për të nisur një debat kombëtar për përdorimin e internetit në Algjeri”. /tesheshi.com/