Mediat serioze serbe e kanë cilësuar fitoren nda Shqipërisë “një zgjim i vonë dhe i kotë” i lojtarëve të kombëtares së tyre në Tiranë. E përditshmja serioze Danas, në një shkrim analizues për ndeshjen në “Elbasan Arena”, theksonte se fitoi skuadra që shfrytëzoi më mirë gabimet e kundërshtarit.
Gazetari O. Nikoliç, në qasjen e tij thekson se trepikëshi i fituar dje kundër Shqipërisë, vërtetë tregoi se lojtarët serbë janë më mirë teknikisht sesa ata të Shqipërisë, por ata nuk mund të lajnë gabimet e bëra më përpara duke dalë nga gara për të shkuar në Francë.
Madje kjo nuk bëhet edhe nëse mundin Portugalinë në Beograd.
Sipas Danas-it, pjesa e parë ishte shumë e mërzitshme nga të dyja palët. ndërsa në pjesën e dytë lojtarët serbë fituan sepse përfituan më shumë nga gabimet e kundërshtarit gjë që s`e ka bërë Shqipëria.
Mediat serioze kanë vlerësuar klimën e qetë por edhe menaxhimin e incidenteve në stadium. Sipas tyre, shqiptarët kanë treguar se dinë se si t`i ruajnë huliganët ndërkohë që në Beograd ata u futën e fushë.
Gazeta Politika thekson se para se të largoheshin në drejtim të Rinasit, ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç dhe Shefi Sigurisë së Federatës Serbe, ish-gjeneral i Policisë Serbe, Milivoj Mirkov, kanë zhvilluar një takim falenderimi me Drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Drejtorin e Përgjithshëm për Sigurinë, Altin Qato.
“I befasuar nga masat e Policisë Shqiptare. Plan masash dhe organizim e zbatim perfekt. Kam qenë në shumë vende, por masa të tilla nuk kam parë. Faleminderit për angazhimin tuaj personal mbrëmjen e djeshme të incidentit me autobusin, por masat e marra nga policia e bënë atë incident të izoluar e pa pasoja”, mësohet t’i ketë thënë Shefi Sigurisë së Federatës Serbe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, Çako i është drejtuar zotit Milivoj Mirkov: “Unë e fitova ndeshjen time si polici. Si shqiptar keqardhje që humbëm. Angazhim e seriozitet i punonjësve të policisë për 48 orë rresht, mirënjohje e falënderim për ta. Falënderim edhe për tifozët për qytetarinë që treguan në shkallët e “Elbasan Arena”-s, por dhe jashtë tij. Bashkëpunuam me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Punuam një muaj rresht për ta përmbyllur me sukses”.
/tesheshi.com/