Nga Bashkim Kastrati
Partitë politike në Kosovë e shfrytëzojnë pushtetin në institucionet shtetërore për të punësuar militantë partiakë dhe familjarë të tyre. Më e keqja në gjithë këtë është se punësohen njerëz të cilët nuk janë të përgatitur për ato vende pune dhe rrjedhimisht dëmi që ata mund të shkaktojnë është i madh.
Raste të tilla raportohen shpesh, ndërsa rasti i fundit ka ndodhur në Komunën e Fushë Kosovës që udhëhiqet nga Burim Berisha që vjen nga radhët e LDK-së, ku i diplomuari në sociologji jep lëndën e matematikës.
Këtë rast e ka konfirmuar edhe auditi në raportin e përgatitur për Komunën e Fushë Kosovës.
“Komuna ka angazhuar me vendim dy mësimdhënës për lëndët e gjuhës shqipe dhe matematikë në shkollën fillore e mesme e ulët “Selman Riza”, në kohëzgjatje prej tre muajsh. Njëri mësimdhënës me kualifikim bachelor i sociologjisë është pranuar për lëndë të matematikës. Në anën tjetër, të punësuarve nuk u janë paguar kontributet pensionale dhe tatimi në pagë, siç kërkohet me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat Personale nr. 03/L-161”, thuhet në raport.
Në lidhje me këtë rast, auditi tërheq vërejtjen se angazhimi i mësimdhënësve joadekuat sipas përvojës dhe kualifikimit, mund të rezultojë me performancë jo të kënaqshme në proçesin mësimor dhe në suksesin e nxënësve. Ndërsa, shmangia nga pagesa e tatimeve dhe kontributeve të punësuarve me kontratë për marrëveshje të veçanta mund të ndikoj në ndëshkimin e komunës nga ana e autoriteteve tatimore.
“Kryetari duhet të rishikojë rastet për të cilat janë angazhuar mësimdhënësit dhe të konsiderojë nëse angazhimet e tilla janë të përshtatshme për pozitat e caktuara. Në anën tjetër, të sigurohet se tatimet dhe kontributet janë paguar sipas ligjit në fuqi për tatimin në të ardhura personale”, rekomandon auditi.
Sipas raportit të auditit, Komuna e Fushë Kosovës nuk është menaxhuar si duhet, si në fushën e prokurimit, mbledhjes së borxheve etj, ndërkaq ka pasur mangësi edhe gjatë dhënies së lejeve të ndërtimit.
Sipas auditit, me rastin e dhënies së lejes së ndërtimit për një objekt, kishte pasur vonesë me pajisjen e lejes më gjatë se 30, respektivisht 45 ditë nga aplikimi, sipas ligjit për ndërtimet 04/L-110. Kërkesa për aplikim ishte më 24.03.2014, ndërkaq leja e ndërtimit është dhënë pas dy viteve, më 20.07.2016.
“Gjatë ekzaminimit fizik, konstatuam që gjatë kësaj periudhe, objekti ishte ndërtuar, ndërsa komuna, respektivisht drejtoria e inspektoratit nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim ndalese, dhe si rrjedhojë, nuk dihet nëse janë respektuar kushtet ndërtimore”, thuhet në raport.
Auditi tërheq vërejtjen se mungesa e inspektimeve të objekteve ndërtimore nga komuna, rrit rrezikun që të bëhen keqpërdorime gjatë ndërtimit në kundërshtim me kushtet urbanistike dhe mos realizimin e të hyrave të planifikuara nga kjo veprimtari.
Ndërkaq, i rekomandohet kryetarit se duhet të sigurohet që secili objekt të inspektohet, të sigurohet që mos të ndërtohen objekte para se të pajisen me lejet përkatëse në pajtim me ligjin mbi ndërtimin dhe sipas kushteve ndërtimore urbanistike, dhe të hyrat të inkasohen sipas planifikimit dhe rregullores mbi tarifat dhe ngarkesat.
E gjetura tjetër, tregon se Komuna e Fushë Kosovës nuk ka planifikuar të hyra nga ushtrimi i veprimtarisë së biznesit, edhe pse bën vjeljen e tyre nga kjo veprimtari. Komuna për vitin 2016 kishte ngarkuar bizneset me 144,461 euro, mirëpo deri më 31.12.2016, kishte inkasuar vetëm 12,632 euro. Nga 1443 biznese, të cilat operojnë në territorin e komunës dhe të cilat janë të ngarkuara me taksat e bizneseve nga vitet paraprake, komuna nuk bën faturimin e rregullt për obligimet mujore apo edhe borxhet e mbetura. Në vitin 2016, regjistrimi i borxheve të pa inkasuara nga veprimtaritë e biznesit ishte 799,498€ që do të thotë të arkëtueshmet vazhdojnë të rriten çdo vit.
Auditi konsideron se mungesa e politikave efektive dhe faturimit të rregullt në këtë fushë ka ndikuar në akumulimin e shumave të larta të borxheve. Mos planifikimi i të hyrave nga ky zë rrit rrezikun e keq menaxhimit në mbledhjen e të hyrave si dhe mundësinë e pagesave në mënyrë selektive. Si rezultat, nuk do të mund të realizohen projektet kapitale të planifikuara nga të hyrat vetjake.
Pronat komunale shfrytëzohen pa kontrata
Nga lista e shfrytëzuesve të pronës publike/qiramarrësve dhe qiramarrësit e banesave kolektive, auditi ka vërejtur se në disa raste kontratat nuk janë të vlefshme. Kontratat kishin skaduar në muajt paraprak, mirëpo prona e komunës shfrytëzohet ende pa ndonjë bazë ligjore.
“Banesat e dhëna për rastet sociale, sipas Ligjit 03/L-164 për financimin e programeve të veçanta të banimit dhe udhëzimeve administrative duhet të ngarkohen të paktën me vlerë minimale. Përkundër vlerës minimale për pagesë, borxhet nga 2012 nuk janë inkasuar dhe vazhdimisht janë në rritje. Kjo është si pasojë e mungesës së planeve konkrete për zgjedhjen e ndonjë mënyre më të lehtë dhe të pranueshme nga familjet që i shfrytëzojnë ato banesa, për inkasimin e borxheve të pa mbledhura edhe nga vitet paraprake”, thuhet në raport.
Sipas auditit, shfrytëzimi i pronës publike pa kontratë të vlefshme rrit rrezikun që këto prona të keqpërdoren, që borxhet të vjetërsohen, të shndërrohen në borxhe të këqia dhe të mos inkasohen asnjëherë.
Evidentimi i radhës tregon se pagesa në vlerë 1,712 euro e datës 24.02.2016 është paguar për transportin e nxënësve në relacionin Bardh i Madh-Sllatinë e Madhe në bazë të një memorandumi të mirëkuptimit që nga 2014, duke anashkaluar proçedurat e hapura të prokurimit.
Gjithashtu për të hartuar projektin ideor “Ndriçimi i parkut të lojërave të fëmijëve”, shuma prej 1,000 euro i është paguar një eksperti të jashtëm, pa procedura të hapura të prokurimit, duke u bazuar në propozimin e ofruar direkt nga përfituesi.
“Pagesat e tilla të parregullta rrisin rrezikun e shkeljeve ligjore të rregullave të prokurimit dhe atyre të shpenzimeve të parasë publike. Kryetari i komunës duhet të sigurohet se të gjitha pagesat kryhet vetëm atëherë kur të jenë aplikuar proceset e rregullta të prokurimit dhe të jenë përmbushë kërkesat ligjore për shpenzimet e parasë publike”, thuhet në raportin e auditit.
E gjetura e radhës tregon se si drejtoria e kulturës ka tërhequr në avancë vlerën 1000 euro (të shpenzuara 960 euro) për të financuar ansamblin “Zëri i Kosovës” për pjesëmarrje në festivalin nacional shqiptar të mbajtur në Tiranë. Në këtë rast nuk janë përfillur proçedurat adekuate të shpenzimit të parasë publike. Financimet e tilla duhet të paguhen nga kategoria përkatëse e subvencioneve dhe direkt në llogarinë e përfituesit, e jo me para të gatshme.
Auditi konsideron se pagesat e tilla për financime të ngjashme janë në kundërshtim me rregullat financiare të Thesarit dhe rrisin rrezikun e keqpërdorimit të mjeteve dhe qëllimit të shpenzimit.
Auditi gjithashtu ka gjetur edhe raste kur disa projekte janë realizuar pa u planifikuar fare në planin e prokurimit si dhe raste të tjera kur ka pasur favorizime të operatorëve ekonomik për të fituar tenderë.
Në raport thuhet se kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha ka marrë në konsideratë dhe është pajtuar me të gjeturat e detajuara dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar se do t’i adresojë të gjitha rekomandimet e dhëna. /tesheshi.com/