Nga Blendi Gashi
Ndërsa Kosova vlon nga shumë probleme, nga ato më akutet, deri në diskutimin a është apo jo realisht një shtet, presidenti Thaçi më 5 shkurt në fjalën e mbajtur para kabinetit qeveritar ka propozuar ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore, pasi ka thënë se “është domosdoshmëri e kohës dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës”.
Ky propozim i Thaçit ka ngjallur jo pak reagime nga opozitarë por jo vetëm, duke e quajtur absurd dhe jo real me kohën.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e ka quajtur propozim të gërditshëm sidomos në këto rrethana nëpër të cilat po kalon vendi dhe qytetarët!
“Si ka mundësi që këta njerëz në vazhdimësi e kanë mendjen tek lluksi, paraja, rehatia!?
A e dijnë ore këta që qytetarët, në mungesë të zhvillimit ekonomik, po detyrohen me lëshu vendin për të kërkuar jetë më të mirë?
A e dijnë këta që qytetarët tanë janë të papunë dhe po luftojnë me mjerimin e varfërinë?
A e dijnë këta që shumë reparte në QKUK, nuk i ngjajnë spitalit ose që qytetarët detyrohen me i ble shumicën e barnave ose me kërku mbështetjen financiare për trajtim jashtë vendit!
Janë me mijëra familje që s’kanë kulm mbi kokë!
Janë bërë tmerr i vërtetë për besë!”, thotë Haxhiu.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur naive kërkesën e Thaçit.
“Kosova nuk ka nevojë për komplekse rezidenciale e godina shtetërore. Kosova ka nevojë për spitale më të mira, shtretër e barna më shumë. Vizitoni pak spitalet shtetërore dhe shihni mjerimin aty. Kosova ka nevojë për arsim më cilësor, për dije më shumë. Ka nevojë për gjykata më të forta”, shkruan Abdixhiku në Facebook.
Sipas tij, pasi të përfundohen të gjitha këto, atëherë mund të mendohet edhe për gjëra të tilla.
“Tek pasi t’i kemi përfunduar punët në shëndetësi, arsim e gjyqësi – tek atëherë – mund të flasim për zyret e politikanëve, të kolegëve të mi. Propozimi për komplekse të reja të institucioneve në këtë kohë është veçse naiv”, thotë Abdixhiku.
Flaka Surroi, drejtoreshë e grupit medial “Koha”, propozimin për kompleksin rezidencial e vlerëson injorim të realitetit të hidhur në vend.
“Puna e këtij kompleksi rezidencial qeveritar të Thaçit po aq absurd sa ideja e ndërtimit te Shtëpisë së Bardhë së Rugovës që do të shërbente si rezidencë e kryetarit. Megalomani e llojit të vet dhe injorim i realitetit shumë të hidhur”, thotë Surroi.
Për ndërtimin apo jo të këtij kompleksi rezidencial do të vendos qeveria “Haradinaj” në një nga mbledhjet e ardhshme. /tesheshi.com/