Çmimet e naftës ranë të hënën ashtu siç tregtarët e tregjeve globale kishin parashikuar; dhe kjo, pasi Irani dhe gjashtë fuqitë e mëdha arritën një marrëveshje mbi programin e saj bërthamor.
Kontratat “Futures” për naftën bruto ranë me 12 cent në mbyllje të tregtimit, duke regjistruar një çmim të ri rekord prej 52,29 $ për fuçi, ndërsa kontratat e naftës bruto amerikane ranë me 19 cent me një çmim të ulët prej 48,68 $.
Teherani dhe fuqitë e mëdha dhanë përpjekje të palodhura në frymëmarrjet e fundit të negociatave bërthamore në mënyrë që të arrinin një marrëveshje. Ndër objektet e marrëveshjes ishte heqja e sanksioneve perëndimore të vendosura mbi Teheranin për të rritur eksportet e naftës ndaj këtij të fundit, që është një prodhues i madh dhe eksportues i naftës së papërpunuar.
Është e mundshme që marrëveshja bërthamore të ushtrojë më shumë trysni ndaj çmimeve të naftës duke sjellë rënie të mëtejshme, se bashku me disa faktorë të tjerë, siç janë kryesisht forcimi dollarit amerikan dhe teprica e naftës në tregje.
Po ne a prekemi nga ky ‘’fat’’
Fatkeqësisht, ne kemi fatin e keq që tregun e naftës ta kemi oligopol. Por nëse do kishim një treg të lirë edhe efiçent, ku sipas teorive ekonomike çmimi arrin të përkthehet në mënyrë korrekte dhe informacioni është i saktë, atëherë që po.
Po të marrim rastin e ekonomive të konsoliduara dhe tregjeve të lira, do të vërenim se atje çmimi i naftës ulet në bazë të parashikimeve dhe para se të ndodh ai fenomen që pritet të ndodh. Pra para se të ndodh lufta, para se të arrihet marrëveshja, etj.
Kjo tregon se atje tregu është ‘’inteligjent’’, mirëpo së paku ne kërkojmë një fazë të mesme ku tregu të jetë ‘’i gjallë’’, e jo i vdekur si në Afrikë. Pra të kemi një treg ku neuronët e tij perceptojnë së paku ‘’sinjalin’’ e uljes së çmimeve në bursa pa dashur që të ndërhyjë qeveria dhe entet rregullatore për tu arritur çmimi optimal.
Në këtë kontekst mund të themi se, nëse operatorët shqiptarë të naftës kanë zënë mend nga hera e parë, do të kemi një ulje të çmimeve të naftës në Shqipëri me po të njëjtat nivele sa në rastin e parë. Dhe atëherë mund të themi se kemi fatin e mirë që të përfitojmë nga ulja e çmimeve të naftës. /tesheshi.com/
Përgatiti: Enklid Pelari