Kryeministri Isa Mustafa, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e Kosovës.
Në urimin e tij thuhet: “Nesër, më 1 shtator 2015, fillon viti i ri shkollor në arsimin fillor dhe të mesëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, andaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal ju uroj suksese gjatë këtij viti shkollor.”
Me këtë rast, më lejoni që të shpreh mbështetjen dhe përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ju, nxënës dhe mësimdhënës të dashur, dhe të theksoj faktin se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka prioritet shumë të rëndësishëm përkrahjen, reformimin dhe avancimin e vazhdueshëm të sistemit edukativ dhe arsimor në Kosovë, ka deklaruar Mustafa.
Po ashtu, më lejoni që të shpreh respektin dhe konsideratat më të larta për mësimdhënësit e Kosovës, njerëzit që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre kanë pasur rol vendimtar për të gjitha të arriturat që Kosova ka bërë gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit.
Duke shprehur respektin dhe përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit e Kosovës, ju uroj nga zemra gjithë të mirat dhe suksese në këtë vit shkollor, është shprehur Mustafa në urimin e tij me rastin e fillimit të procesit mësimor./tesheshi.com/