Myslim Murrizi, deputeti dhe kreu i PD-së së Lushnjes, është njeriu që nuk i është bindur lidershipit të partisë për të lënë mandatin. I njohur për karakterin e trazuar dhe gjuhën çapraze, Murrizi ka dalur hapur kundër aktit ekstrem, duke u bërë këto orë dhe shënjestër e sulmeve verbale në rrjete, nga përkrahës të opozitës.
“Sa i takon çështjes së mandatit unë e kam shprehur që në mbledhjen e grupit parlamentar se jam kundër atij vendimi. Unë jam student i dhjetorit, kam qenë proamerikan që në dhjetor të 1991. Mandatin e kam marrë nga demokratët e Lushnjes dhe kam të gjithë mirëkuptimin e tyre për të qëndruar në detyrë deri ditën e fundit. Ne nuk lam mandatet në vitin 1998 kur na vranë Azem Hajdarin dhe marrim sot këtë vendim?”, tha Murrizi në një intervistë televizive.
Sipas tij, janë dhe shumë kolegë të tjerë demokratë që nuk do donin ta kishin lënë mandatin.
“Në gjykimin tim 80% e grupit parlamentar të PD është kundër atij vendimi pavarësisht se e kanë mbështur. Është një vendim i pakonsultuar me aleatët tanë ndërkombëtarë. Nuk mund të dalim ne kundër Departamentit Amerikan të Shtetit. Është absurde që për një vendim të tillë që është ekstrem dhe i pa ndodhur më parë, nuk jemi konsultuar as me Partitë Popullore Europiane, familjen politike të cilës i përkasim”, theksoi kryedemoktati lushnjar.
Pas tij mund të jetë Rudina Hajdari ajo që nuk do e lë mandatin. Ajo ndodhet në SHBA dhe ka bërë me dije se shumë shpejt do e bëjë me dije qëndrimin e saj.
Ndërsa nga radhët e LSI-së është Lefter Koka ai që nuk pranoi t’i bindej vendimit të partisë. /tesheshi.com/