Nga Blendi Gashi
Kuvendi i Kosovës kaloi krizën shtatë muajshe të gazit lotsjellës që pamundësoi zhvillimin normal të punës, por në javën e fundit institucioni ligjvënës ka hyrë në një krizë të re.
Por tani kur nuk ka as gaz e as opozitë, siç duket deputetëve të pozitës sikur u është zbehur dëshira për mbajtjen e seancave plenare pa kolegët e tyre opozitarë.
Dëshmi për një gjë të tillë është mungesa e kuorumit e paraqitur në dy seancat e fundit, pasi shumica e deputetëve të mazhorancës, konkretisht të PDK-së kanë zgjedhur të dalin në “fushatë” nëpër komuna të ndryshme dhe jo të ulën në karriget që janë zgjedhur për të punuar për të mirën e qytetarëve.
Për më tepër, në seancën e fundit, disa deputetë të dy partive në pushtet kanë mashtruar me pozitat e tyre si deputet, pasi që janë nënshkruar për mëditjet, por nuk kanë qëndruar në sallë gjatë seancës.
Kriza, në të cilën është futur Kuvendi, ku po ndodh që pozita edhe pse numerikisht e madhe nuk po arrin të sigurojë kuorumin, është një sinjal i qartë se zgjedhjet e reja janë në prag por edhe të domosdoshme për të legjitimuar një përfaqësim të ri e më të denjë për të qeverisur me vendin.
PDK me strategji të fshehtë për ta çuar vendin në zgjedhje
Analisti politik, Arsim Haziri, konsideron se mungesa e kuorumit në seancat e fundit përfaqëson një hap më tutje drejt shpërbërjes së Parlamentit, pasi sipas tij Hashim Thaçi përmbushi egon e tij, atë të zgjedhjes president i vendit.
Haziri, thotë se PDK po përdorë strategji të fshehtë politike me qëllim që ta dërgoj vendin në zgjedhjet, që më pas të mundohet ta përfitojë edhe pozitën e kryeministrit, normalisht që do t’i takonte kryekuvendarit aktual, Kadri Veseli, dhe sipas Hazirit këtë e dëshmon takimi i fundit që zhvilloi presidenti Thaçi me Valdete Dakën, kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Dhe kur kemi kështu një stagnim të jetës parlamentare , elementi më i domosdoshëm për tejkalim të kesaj krize mbetën zgjedhjet e reja, gjë që edhe subjekti më i fuqishëm në vend e pretendon”, ka thënë Haziri, për tesheshi.com.
Zgjedhjet e reja në vjeshtë
Njohësi i rrethanave politike në vend, Faik Krasniqi, thotë se me zgjedhjen e Hashim Thaçit në pozitën e presidentit, PDK-ja arriti qëllimin e saj dhe tashmë nuk i duhet më LDK-ja në bashkëqeverisje.
Sipas tij, është pritur që pas zgjedhjes së Thaçit President, të filloi çarja e koalicionit.
“Plani i PDK-së ka qenë prej fillimit, që pasi Hashim Thaçi të zgjidhet president dhe Kadri Veseli edhe zyrtarisht më 7 Maj ta marrë timonin e partisë, pas dy ose tre muajve ta prishin koalicionin me LDK-në dhe këtë parti ta hedhë në koshin e historisë. Dhe kjo po dëshmohet edhe me mungesën e kuorumit në seancat e fundit nga ana e deputetëve të PDK-së, që Parlamenti po shkon drejt shpërbërjes dhe së shpejti do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme. Besoj që në vjeshtë do të kemi zgjedhje”, thotë Krasniqi, për tesheshi.com.
Ndryshe, gjatë takimeve të fundit që ka mbajtur PDK-ja në komuna të ndryshme të vendit ku Kadri Veseli ka paraqitur kandidaturën e tij për të marrë kreun e partisë, drejtues të lartë të PDK-së, si deputeti Elmi Reçica ka thënë se Kadri Veseli jo vetëm që do ta udhëheq partinë por edhe Kosovën, duke aluduar se do të jetë kryeministër i vendit. /tesheshi.com/