Një ngjarje e padenjë ka ndodhur në shkollën e një fshati në Mitrovicë, ku dy mësues janë rrahur me njëri-tjetrin në sy të nxënësve duke i traumatizuar këta të fundit. Bëhet fjalë për në ngjarje në shkollën fillore “Avni Shabani”, të fshatit Zabërgj, ndërsa arsimtarët e përfshirë në konflikt fizik janë Kushtrim Berisha dhe Bekim Fejza.
Incidenti ka ndodhur pikërisht para nxënësve të klasës së VII, të cilit në ato momenti ishin duke mbajtur orën e Informatikës.
Sipas një burimi brenda shkollës, mësuesi Kushtrim Berisha që po mbante orën e mësimit, ka larguar nga klasa një nxënës i cili ka rastisur të jetë nipi i arsimtarit tjetër, Bekim Fejzës.
Dhe Berisha, pasi ka larguar nxënësin nga ora e mësimit ka filluar dhe të ofendojë nxënësit, çka ka bërë që arsimtari tjetër, kolegu i tij Fejza, të hyjë i revoltuar brenda në klasën e Berishës dhe para nxënësve e ka goditur atë me grushta në fytyrë.
Nxënësit në këtë moment kanë mbetur të shtangur e të tmerruar duke parë dy kolegë arsimtarë që të rrihen mes tyre.
Por burimi shton se për çudi, ndaj tyre nuk është ndërmarrë asnjë masë disiplinore, as nga Drejtoria e shkollës e as nga ajo arsimore.
Pajazit Hajzeri, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Mitrovicë, lidhur më këtë i ka thënë portalit tesheshi.com se ata janë njoftuar menjëherë pas ngjarjes nga ana e drejtoreshës së shkollës ku ka ndodhur incidenti; dhe se më pas kanë shkuar në vendngjarje ku kanë marrë nga një deklaratë prej secilit prej arsimtarëve për atë se çka ka ndodhur.
“Pas kësaj, kemi formuar komisionin disiplinor i cili ka punuar në këtë rast duke i shqiptuar vërejtjen e fundit arsimtarit Fejza si dhe vërejtje arsimtarit Berisha”, ka thënë i pari i arsimit në Mitrovicë.
Hajzeri ka shtuar se me qëllim të ikjes së fërkimeve në këtë shkolle, arsimtarin Berisha është transferuar në shkollën fillore :Musa Hoti” në Mitrovicë, ndërsa orët e mësimit të Informatikës në shkollën e Zabërgjës për momentin janë duke i mbajtur arsimtarët e tjerë.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti i ka thënë portalit tesheshi.com se policia ka pranuar një informacion për një rrahje që ka ndodhur mese arsimtarëve në shkollën e fshatit Zabërgj; policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka intervistuar dy të përfshirët ne incident, dhe me urdhër të prokurorit rasti do kalojë për procedim. M.Mustafa – /tesheshi.com/