Senati italian miratoi sot në seancë plenare me 129 vota pro dhe asnjë kundër, marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë.
Në punimet e seancës plenare të Senatit italian, ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Shqipëria dhe Italia arritën më 6 shkurt të vitit 2024 marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Finalizimi i kësaj marrëveshjeje ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen, ndërsa palët kishin rreth 15 vite që negocionin për të arritur këtë firmë, që garanton të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali apo të punonjësve italianë në Shqipëri për pensionet.
Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.
Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.
Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.
Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë.
Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën. Ndërsa po punon për një marëveshjeje edhe me Greqinë. /atsh/