“Hungaria është një promovuese e përkushtuar e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë”. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó gjatë një takimi me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Szijjártó kërkoi më shumë stabilitet dhe rritje të qendrueshme ekonomike në rrugën e integrimit.
“Partia Demokratike është e përkushtuar ne rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, të cilën ne e kemi mbështetur. Hungaria ka qënë gjithnjë një mike e vërtetë e Shqipërisë dhe është një promovuese e përkushtuar e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë. Më duhet t’u them që në këto vite, ne kemi punuar së bashku me Partinë Demokratike të Shqipërisë, si në opozitë ashtu, edhe në qeverisje në lidhje me këto çështje. Jemi shumë të lumtur që këto çështje bashkojnë vendin, ku si qeveria, ashtu edhe opozita janë në mbështetje të integrimit euro-atlantik. Për ne, si fqinj është e qartë se rruga më e mirë është sigurimi i stabilitetit të qendrueshëm, paqes dhe rritjes së qendrueshme ekonomike në rrugën e integrimit për Ballkanin Perëndimor. Sigurisht që, unë uroj sa më shumë suksese për partinë tonë simotër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitin e ardhshëm”, tha ministri hungarez.
Basha vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe e siguroi Szijjártó, se Partia Demokratike si në qeverisje, ashtu edhe në opozitë mbështet proçesin e integrimit europian të vendit.
“Padyshim diskutuam për sfidat dramatike me të cilat përballet Shqipëria dhe nga ana e tij, mu kërkua që opozita, bashkë me shqiptarët të bëjnë gjithçka për të luftuar për përmbushjen e kritereve, jo vetëm pesë kritereve të Komisionit Europian, por edhe kritereve të Kopenhages, në veçanti sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe luftës ndaj krimit të organizuar. E sigurova se Partia Demokratike dhe opozita do të vazhdojnë me të gjitha format dhe mënyrat, betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kundër krimit në politikë, ndarjen e politikës nga krimi, luftën kundër drogës dhe zbatimin e pesë kritereve, jo vetem për të përshpejtuar integrimin europian të Shqipërisë, por edhe si interesi esencial për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha./tesheshi.com