Ministri i Brendshëm belg hodhi poshtë akuzat se ka stigmatizuar muslimanët duke i qëndruar deklaratave të veta që nxitën debat të ashpër në parlament dhe në shoqëri, kur ai tha se pas sulmeve terroriste të Brukselit, shumë muslimanë vallëzuan për të festuar sulmet.
“Secili prej nesh e di se gjëra të tilla ndodhën. A duhet të presim për një raport policor që të na konfirmojë ekzistencën e këtyre fakteve”, tha Jan Jambon në parlament, gjatë një seance ku u vendos në një breshëri pyetjesh të vështira nga ana e opozitës.
Jambon, anëtar i lartë i qeverisë përfaqëson partinë kryesore flamande në kabinet. Ai hodhi poshtë akuzat e kolegëve se kishte nxitur tensione mes komunitetit musliman të Belgjikës, që llogaritet të jetë rreth 600 mijë persona në një popullsi prej 11 milionë frymësh.
“Nuk kam një raport policor. Ka pasur kërcime, por jo edhe aq shumë… disa shërbime më kanë konfirmuar se ato nuk ishin të zhurmshme dhe se ata e kishin verifikuar të dhënën në terren”, tha ai. “Çfarë mendoni se do të them këtu tani, duke bërë stigmatizime, emrat e rrugëve e të lagjeve?”.
Komentet e Jambon i bëjnë jehonë deklaratave të kandidatit republikan për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trump që pretendon se muslimanët festuan për sulmet e 11 shtatorit 2001.
Jambon i kishte bërë komentet e para gjatë një interviste me gazetën në gjuhën flamande “De Standaard”. “Një pjesë domethënëse e komunitetit musliman kërceu kur ndodhën sulmet”, i kishte thënë ai gazetës, pas sulmeve fatale në aeroporti dhe në metro që vranë 32 persona.
Ai gjithashtu akuzoi banorët muslimanë të lagjes Molenbeek në Bruksel, e populluar kryesisht nga emigrantët, se sulmuan policinë gjatë një operacioni të ndodhur në mars për arrestimin e një të dyshuari në lidhje me sulmet vdekjeprurëse të Parisit, në nëntor 2015. ISIS ka marrë përsipër të dyja sulmet, si në Paris, ashtu edhe në Bruksel.
Ndërkaq, Jambon, partia e të cilit ka akuzuar qeveritë e mëparshme se nuk kanë mundur të vendosin nën kontroll radikalizimin, tha: “Nuk do të kthehem mënjanë, të fsheh kokën në rërë. Detyra ime është të identifikoj problemet, t’u vendos emrin gjërave dhe të ndërmarr veprime”.
“Ne nuk mund të stigmatizojmë një komunitet të tërë. E kam thënë me qindra herë se duhet të punojmë me komunitetin musliman, për të fituar zemrat e tyre, disa nga të cilat janë kthyer kundër shoqërisë sonë, edhe në rast se mbeten vetëm tre njerëz”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/