Pas ditësh heshtjeje, presidenti Meta i është rikthyer apeleve për zgjedhjen e krizës, ndonëse mazhoranca nuk ja merr më në konsideratë, pasi e quan palë opozitare.
Kreu i shtetit në fakt ka bërë jo pak politikë në deklarimet më të fundit, ku edhe pse në dukje kërkoi gjetjen e një zgjidhjeje mes palëve, goditi diku ndërkombëtarët
“Mendoj se klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe nuk duhet të fshihet pas asnjë ndërkombëtari, siç ka ndodhur deri tani, dhe çështjet duhet të zgjidhen me dialog në mënyrë transparente, në mënyrë parimore, larg pazareve dhe keqpërdorimeve, qoftë edhe të ndonjë ndërkombëtari”, u shpreh Meta.
Më tej ai zgjodhi të bëjë dhe ironi me aludimin se te aksioni opozitar Rusia sheh një aleat në qëllimet e saj.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike, për fat të keq, të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe. Gjithsesi, nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e së kaluarës, për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale, përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë”, tha kreu i shtetit. /tesheshi.com/