Presidenti Meta i ktheu qeverisë ligjin e radhës, atë “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, ndryshe, ndarjen e Shqipërisë në katyër rajone.
Kësisoj, kreu i shtetit rreshtohet me zërat opozitarë, ndër to më aktivi për këtë ccështje Petrit Vasili i ish-LSI-së së tij, i cili gjithë këto ditë ka denoncuar “katër rajonet” e Ramës.
“Ky akt ligjëron ushtrimin e pushtetit politik të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi ynë.
Ky akt, miratuar njëkohësisht me ndryshimet Kushteteuse dhe ato në Kodin Zgjedhor, synon parapërgatitjen e forcës qeverisëse për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive politike”, thuhet në arsyetimin e Metës.
Si argument tjetër të fortë, Meta thotë ligji “po imponohet pa asnjë konsultim, kur në dokumentacionin parlamentar deklarohet se, konsultimi është bërë në periudhën mars- maj 2020, kohë kjo kur vendi ka qenë nën efektet e aplikimit të masave të veçanta për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Nuk mund të pretendohet dhe as të pranohet se si brenda periudhës së fatkeqësisë natyrore dhe një situate të rënduar të një pandemie (për shkak të Covid-19), të konsiderosh të realizuar konsultimin e një nisme me rëndësi të tillë”. /tesheshi.com/