Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka ftuar sipërmarrësit gjermanë të investojnë në Shqipëri, pasi u garanton forcimin e kuadrit ligjor dhe avancimin e reformës në drejtësi. Sipas tij, kjo e fundit shërben për konsolidimin e klimës së investimeve të huaja dhe përmirësimit të imazhit të vendit. Këto deklarata Meta i bëri gjatë konferencës vjetore ekonomike të bizneseve familjare të Gjermanisë, në Baden-Baden, ku ai ishte i ftuar nderi.
“Besoj që kjo është koha e duhur që Gjermania dhe Shqipëria të forcojnë akoma më shumë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të biznesit. Për ne, shqiptarët është bekim fakti që fokusi dhe prezenca e Gjermanisë në rajon po rriten shumë. Ne duhet të shqyrtojmë çdo mundësi për të krijuar biznese dhe për të tërhequr kompanitë gjermane në vendin tonë, në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ne duhet të mësojmë nga kultura gjermane e punës, menaxhimit dhe disiplinës dhe mbi të gjitha të frymëzojmë një brez të ri të liderëve tanë të rinj se “modeli gjerman” nesër mund të jetë një realitet dhe në Shqipëri”, – tha Meta.
Sakaq, duke folur për burimet natyrore të Shqipërisë, kryeparlamentari përmendi disa investime të mëdha në drejtim të energjisë së rinovueshme, ndërsa shtoi se në sektorët minerarë, të industrisë përpunuese dhe naftës ka shumë kompani ndërkombëtare që po investojnë në Shqipëri.
“Shqipëria është një vend me burime natyrore të shumta, duke përfshirë dhe një potencial të madh në energji të rinovueshme, veçanërisht investimet në digat hidro-elektrike, pasi ne kemi burime të shumta ujore. Në fakt, janë në proces një sërë projektesh, një prej të cilëve është Hidrocentrali i Devollit në jug të vendit – një investim prej mëse 500 milionë eurosh, që do të përfundohet nga kompania gjigante ‘Statkraft’. Ky është një nga projektet më të mëdha në rajon. Veç kësaj, në sektorët minerarë, të industrisë përpunuese dhe naftës ka shumë kompani ndërkombëtare që po investojnë në Shqipëri”, – u shpreh ai.
Në këtë konferencë, i ftuar ishte edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Ai bëri një prezantim të bilancit ekonomik e financiar të Shqipërisë, ku mes të tjerash vuri në dukje se stabiliteti makro-ekonomik dhe reformat strukturore që po ndërmerren në Shqipëri, e bëjnë vendin shumë më atraktiv për investitorët e huaj./tesheshi.com