Përfundon takimi mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës pas 120 minutash me një dakordësi mes palëve.
Ende nuk janë marrë vesh detajet e takimit, por burime nga palët mësohet se kryetari i Kuvendit dhe lideri i opozitës kanë arritur një marrëveshje për të futur në rendin e ditës së Kuvendit reformën në drejtësi.
Si Basha, ashtu edhe Meta nuk kanë dhënë deklarata për shtyp në “Rogner” ku u zhvillua takimi, por do të japin prononcime të ndara në kryesinë e Kuvendit dhe selinë blu.
Ka qenë mjaft domethënëse klima e ndryshme e këtij takimi krahasuar me atë mes Edi Ramës dhe kreut të opozitës dhe siç duhet, takimi sot është përdorur nga kreu i LSI-së për të fituar pikë por edhe për të rritur presionin ndaj Edi Ramës.
Dhe më e forta është goditja që po i përgatitet Saimir Tahirit, ku Prokuroria pritet të nxjerrë urdhër arrestin për ministrin e Brendshëm.
Edhe 42 trëndafilat blu që Meta i dhuroi Bashës me rastin e ditëlindjes që kreu i PD-së kishte sot, ishte tipikisht një sinjal alla- Meta me të ashtuquajturën metodë “me qetësi dhe dashuri”.
Kreu i LSI-së nuk është sulmuar nga PD-ja që prej kohës së incidentit me Tom Doshin dhe të gjitha bataretë i kanë drejtuar nga Saimir Tahiri, që është kthyer në shënjestrën e përbashkët mes PD-së, LSI-së por edhe Presidentit Nishani dhe prokurorisë.
Vetë kreu i shtetit ka dorëzuar një padi penale ndaj ministrit të Brendshëm që pritet t’i shtohet asaj për çështjen e përgjimeve. Ditën e nesërme, kur të vendoset për futjen në rend të ditës së reformës në Kuvend do të ketë edhe një përballje mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, ku presioni për Saimir Tahirin do të arrijë kulmin e tij.
Siç mësohet Edi Rama është i përgatitur për gjithçka dhe nuk do të tërhiqet asnjë centimetër.
Një panoramë e zhvillimeve të ardhshme pritet të jepet edhe nga vizita e ministrit të jashtëm gjermane, Frank Walter Steinmeier, i cili mbërrin të martën në Tiranë.
Por fakt është që sinjali i sotëm i Ilir Metës ndaj opozitës, është një mesazh i qartë politik që ka ngjyrën e trëndafilave që kreu i LSI-së i dhuroi ish-aleatit të tij.
Sinjal që mediat pranë tij po e komentojnë hapur si kthim i Ilir Metës në aleancë me Berishën./tesheshi.com/