Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se vendi i tij nuk do të lejojë Finlandën dhe Suedinë të anëtarësohen në NATO.
“Turqia nuk mund të thotë ‘Po’ për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, pa kushte, kjo është e pamundur”, tha Erdogan.
Ai njoftoi se delegacionet nga të dy vendet do të vizitojnë Turqinë të hënën, por tha se “ata nuk duhet shqetësohen për të ardhur” e të bindur Turqinë që të miratojë anëtarësimin e tyre në NATO, raporton Reuters.
Turqia njoftoi javën e kaluar se kundërshton hyrjen e të dy vendeve në NATO, duke i akuzuar ata për mbështetjen e luftëtarëve kurdë të cilët Ankaraja i konsideron terroristë dhe për dështimin për të ekstraduar dhjetëra “terroristëve” të dyshuar.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të dielën se vendet që mbështesin terrorizmin “nuk duhet të jenë anëtarë të NATO-s”.
Ai theksoi se Turqia po kërkon nga Finlanda dhe Suedia të “ndalojnë mbështetjen e grupeve terroriste”.
Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson njoftoi të hënën se Suedia synon të aplikojë për anëtarësim në NATO duke iu bashkuar Finlandës fqinje.
Vendimi i Suedisë, e cila ka qenë neutrale për më shumë se 200 vjet, erdhi pasi Finlanda fqinje njoftoi të dielën se do të kërkonte gjithashtu t’i bashkohej aleancës ushtarake perëndimore prej 30 vendesh. /tesheshi.com/