Udhëheqësi politik i Hamasit Ismail Haniyeh akuzoi Izraelin për kryerjen e masakrave në Rripin e Gaza-s, siç tha, për të mbuluar “humbjet” e veta dhe paralajmëroi se qindra pengje izraelitë të mbajtur në Gaza përballen me të njëjtin rrezik “vdekjeje dhe shkatërrimi” nga sulmet izraelite si banorët palestinezë.
Izraeli “po kryen masakra barbare ndaj civilëve të paarmatosur”, tha Ismail Haniyeh në një fjalim televiziv të transmetuar të mërkurën. “Por poshtërsia e tij nuk do ta shpëtojë nga një humbje e madhe.”
Ai tha se “ata që mbështesin Izraelin në luftën kundër Hamasit po zgjedhin anën e gabuar të historisë” dhe fajësoi Netanyahun, kryeministrin e Izraelit, për luftën. Ai shtoi se SHBA “duhet të ndalojë mbështetjen e asaj qeverie fashiste dhe të ndalojë pengimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të vendosur një armëpushim humanitar”.
“Ju po zgjidhni anën e gabuar të historisë. Rajoni nuk do të jetë i sigurt apo i qëndrueshëm derisa populli ynë të marrë lirinë dhe pavarësinë e tij,” tha ai.
Haniyeh tha se Hamasi kishte paralajmëruar “qeverinë fashiste” të Izraelit për “politikat e saj kontestuese” përpara sulmit, duke vënë në dukje zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe sulmet ndaj vendeve të shenjta islame si xhamia Al-Aksa. Udhëheqësi i Hamasit tha se trazirat do të vazhdojnë derisa “palestinezët të marrin të drejtat e tyre legjitime për liri, pavarësi dhe kthim”.
Komentet erdhën pasi forcat izraelite sulmuan kampin e refugjatëve Jabalia në Gazën veriore për të dytën ditë radhazi, duke vrarë dhjetëra, sipas zyrtarëve palestinezë. Më shumë se 50 persona u vranë në një sulm ajror izraelit në një lagje me popullsi të dendur një ditë më parë, thanë autoritetet palestineze. Hamasi njoftoi gjithashtu se në sulm u vranë shtatë pengje izraelite, tre prej të cilëve kishin pasaporta të huaja. /tesheshi.com/