Jo shumë larg nga Mosuli, një forcë e madhe ushtarake po finalizon planet për të përparuar në një lëvizje që ka dashur tre dekada të përgatitet. Trupat janë milicë shiitë që kanë luftuar kundër ISIS, por atyre nuk u është dhënë rol i drejtpërdrejtë në sulmin e ardhshëm për të çliruar qytetin e dytë më të madh të Irakut.
Në vend të këtij roli, ndërsa ushtria irakiane sulmon Mosulin nga jugu, milicitë do të marrin një pozicion bllokimi në perëndimi, për të ndalur forcat e ISIS nga arratisja drejt bastionit të tyre të fundit në Raqqa të Sirisë. Mungesa e këtyre trupave në sulm synon që të sigurojë muslimanët suni të Mosulit se sulmi për të rimarrë qytetin nuk është një betejë sektariane kundër tyre. Sidoqoftë, midis ushtrisë së dominuar nga shiitët në Irak, vendimi i milicive për të qëndruar larg nga beteja për Mosulin konsiderohet një mashtrim taktik.
Megjithatë, mbetet ende një farë shqetësimi mes mbështetësve të milicive në Irak. Që nga ngritja e tyre, trupat e parregullta shiite kanë vënë emër në fushën e betejës, por ato kanë qenë gjithnjë mbështetje kryesore për ambicjet e Teheranit gjetkë. Duke mos ndihmuar në rimarrjen e Mosulit, milicitë janë të lira për të zhvilluar një nga projektet më të lakmuara: sigurimin e një harku ndikimi përgjatë Irakut dhe Sirisë që do të mbyllej në detin Mesdhe.
Rripi i tokës në perëndim të Mosulit ku do të operojnë milicitë shiite është thelbësor për këtë qëllim. Pas 12 vjetësh konflikti në Irak dhe konfliktit akoma edhe më të egër në Siri, Irani është tashmë më afër se kurrë në sigurimin e një korridori tokësor që do ta ankoronte në rajon – dhe me gjasa të transformonte praninë e republikës islamike në tokat arabe. “Ata kanë punuar ekstremisht fort në këtë drejtim”, thotë një zyrtar europian, i cili ka monitoruar rolin e Iranit në të dyja luftërat përgjatë pesë vjetëve të fundit.
“Bëhet fjalë për një çështje krenarie për ta nga njëra anë dhe pragmatizmi nga ana tjetër. Ata do të jenë në gjendje të lëvizin njerëzit dhe furnizimet midis Mesdheut dhe Teheranit kurdo që të duan, dhe do ta bëjnë këtë përgjatë rrugësh të sigurta që janë të mbrojtura nga njerëzit dhe aleatët e tyre.
Intervistimet përgjatë katër muajve të fundit me zyrtarë rajonalë, irakianë me ndikim dhe banorë në Sirinë veriore, kanë konfirmuar se korridori tokësor ka marrë formë ngadalë-ngadalë që prej vitit 2014.
Bëhet fjalë për një rrugë komplekse përmes Irakut arab, veriut të kurdëve drejt Sirisë kurde veri-lindore e përmes fushave të betejës së Halepit, ku Irani dhe aleatët e tij po mbizotërojnë në terren. Plani është zbatuar nën hundën e miqve dhe armiqve, ndërsa këta të fundit kanë nisur t’u bien kambanave të alarmit vetëm javët e fundit. Turqia ka qenë në mënyrë të veçantë kundërshtuese, me frikën për atë që do të thotë një zhvillim i tillë në marrëdhëniet e Irakut me PKK-në, me kurdët e pashtruar në mes, me të cilët lidhet edhe pjesa më e madhe e planit.
Plani është koordinuar nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe të sigurisë në Teheran, Bagdat dhe Damask, të cilët raportojnë të gjithë pranë kreut të diplomacisë iraniane, forcës Quds të rojes Revolucionare që drejtohet nga gjeneral-majori Qassem Suleimani, përgjegjës është për luftërat e Iranit në Siri dhe në Irak. Në plan përfshihen ndryshime demografike, të cilat tashmë kanë ndodhur në Irakun qendror dhe po ndodhin në veri të Sirisë. Dhe plani mbështetet gjerësisht në suportin e një spektri aleatësh që nuk nuk janë domosdoshmërisht në dijeni të të gjithë projektit, por që kanë interes të momentit.
Korridori nis në pikat hyrëse që Irani ka përdorur për të dërguar furnizime dhe njerëz në Irak përgjatë 12 vjetëve të fundit. Ato janë të njëjta rrugë që janë përdorur nga forcat Quds për të zhvilluar luftën guerile ndaj forcave aemrikane kur ato pushtuan vendin – një fushatë që u ndërmorr nga të njëjtat milici irakiane, por që prej asaj kohe kanë ridalë në skenë për të luftuar ISIS.
Grupet Asa’ib ahl al-Haq, Keta’ib Hezbollah dhe degët e tyre, llogariten përafërsisht se kanë shkaktuar 25 për qind të viktimave mes ushtrisë amerikane, kanë thënë zyrtarë të lartë amerikanë. Këto forca janë bërë akoma edhe me më shumë ndikim që kur Shtetet e Bashkuara u larguan nga vendi. Dhe në një nga ironitë më të spikatura të luftërave moderne në dy vjet, që kur amerikanët janë rikthyer në Irak për të luftuar ISIS, ata kanë luftuar herë pas here nën mbulimin e forcës ajrore amerikane.
Rruga kalon përmes Baquba-s, kryeqytetit të provincës Diyala, rreth 60 milje në veri të Bagdatit. Një zonë e përzier sunite dhe shiite për qindra vjet, Diyala u shndërrua në një zonat e nxehta kryesore të përplasjes sektariane gjatë luftës civile në Irak. Përgjatë rrugëve që janë të mbrojtura nga milicitë, e që njihen lokalisht si “njësitë e mobilizimit popullor”, korridore më pas kalon në veriperëndim drejt zonave që u pushtuan nga ISIS, jo më larg se disa muaj më parë.
Qyteti Shirqat në provincën Salaheddin është një zonë e rëndësishme. Ai ndodhet nën kontrollin e milicive dhe forcave irakene që kur ato e morrën më 22 shtator, duke i dhënë një tjetër goditje grupeve terroriste dhe një nxitje të madhe ambicjeve të Iranit.
Milicitë tashmë janë të pranishme në shifra të larta në Shirqat dhe të gatshme të lëvizin drejt cepit perëndimor të Mosulit, deri në një pikë prej 50 miljesh në juglindje të Sinjarit, i cili, në këtë pikë, përbën këmbën e radhës në korridor. Mes forcave të milicive dhe Sinjarit ndodhet qyteti Tal Afar, një bastion i ISIS, që ka qenë strehë historike e turqve suni dhe shiitë- farefisit të origjinës së Turqisë.
Një zyrtar i lartë i inteligjencës tha se këmba midis Tal Afarit dhe Sinjarit është thelbësore për planin. Sinjali është shtëpia e hershme e popullsisë Yazidi, e cila u detyrua të largohet në gusht 2014 pasi ISIS pushtoi qytetin, duke vrarë të gjithë burrat që mund të gjendje dhe duke skllavëruar gratë. Qyteti u rimorr nga forcat kurde irakiane nëntorin e kaluar. Dhe që nga kjo kohë, forcat e PKK-së nga kufiri sirian kanë marrë pozicione në qytet si dhe pas shkëmbinjve gjigandë të malit Sinjar.
Luftëtarët e PKK-së paguhen nga qeveria e Irakut dhe kanë qenë të inkorporuar në njësitë e mobilizimit popullor. Iraku dhe zyrtarë perëndimorë të inteligjencës thonë se lëvizja u miratua nga këshilltari i sigurisë kombëtare të Irakut, Falah Fayadh.
Një sheik tribal me shumë ndikim, Abdulrahim al-Shammari, del në skenë si figurë qendrore më në veri. Ai ka bazën e vet të fuqishme në afërsi të Rabias ku kalohet drejt Sirisë, merr mbështetje nga njësitë e mobilizimit popullor dhe është afër me regjimin e Asadit në Damask. “Besoj se në zonën tonë, Irani nuk ka shumë ndikim”, tha ai për “The Observer” në Bagdad. “Nuk është askush këtu, asnjë fuqi e madhe që të na ndihmojë me armë. Po të flasim ideologjikisht, PKK është e përfshirë me kurdët në këtë zonë, kështu që nuk ka asnjë problem që i kemi këtu”.
Nga kalimi në Rabia, rruga problematike shkon pas qyteteve Qamishli dhe Kobani drejt Irfin, të gjitha të kontrolluara nga milicitë kurdo-siriane YPG. Përgjatë gjithë luftës, njësitë e këtyre milicive kanë ndryshuar kah, disa kohë duke u bërë aleatë me Shtetet e Bashkuara kundër ISIS dhe në kohë të tjerë duke marrë anën e regjimit sirian. “Irani mendon se ata janë aty ku ai dëshiron të jenë tani”, tha një burim europian. “Nuk jam i sigurtë nëse i ka llogaritur turqit korrekt në ekuacion, gjithsesi”.
Nga të gjitha pikat midis Teheranit dhe bregut sirian, në Halep është përqëndruar më shumë energji nga Irani sesa kudo gjetkë. Deri në 6 mijë anëtarë të milicive, pjesa më e madhe nga Iraku, janë mbledhur atje në pritje të një lëvizjeje për të marrë nën kontroll lindjen e qytetit nga kryengritësit, që mund të nisë në të njëjtën kohë me sulmin mbi Mosulin.
Ata që e kanë vëzhguar nga afër Suleimani-n ndërsa ai inspektonte linjat e frontit në Siri dhe në Irak, apo gjatë takimeve në Damask dhe në Bagdat, ku ai projekton pushtetin e tij të pakufishëm përmes një qetësie të studiuar, thonë se ai ka investuar gjithçka në Siri – dhe në sigurinë që Teherani të dalë nga kjo luftë brutale dhe e shtrenjtë me të gjithë ambicjet e përmbushura. “Nëse humbasin Sirinë, ne humbasin Teheranin”, i tha Suleimani politikanit të ndjerë irakian, Ahmed Chalabi në vitin 2014. Chalabi në atë kohë I kishte thënë “Observer” se Suleimani kishte shtuar: “Ne do ta kthejmë këtë kaos në një mundësi”.
Sigurimi i Halepit do të ishte një këmbë e rëndësishme e korridorit, që do të kalonte përgjatë dy fshatrave në veri që historikisht kanë qenë në duart shiite. Prej andej, një zyrtar i lartë sirian dhe zyrtarë irakianë në Bagdat, thonë se korridori do të vazhdonte përmes periferisë së qytetit të katërt më të madh sirian, Homsit e më pas përmes zemrës alauite në Siri e cila një vit nga bombardimet ruse është sërish një zonë e sigurtë për Asad. Rruga e fituar me mundim nga Irani do të përfundonte në portin e Latakias që ka mbetur vendosmërisht në duart e regjimit gjatë gjithë luftës.
Ali Khedery, i cili këshillon të gjithë amabsadorët amerikanë në Irak dhe katër komandatët e Centcom në vitet 2003-2011, tha se sigurimi i një lidhjeje me Mesdheun do të shihej si një triumf strategjik në Iran. “Ka domethënien e konsolidimit të kontrollit të Iranit mbi Irakun dhe Levantin, që në këmbim do të konfirmojë ambicjet e tyra rajonale hegjemoniste”, tha ai. “Një gjë e tillë duhet të shqetësojë çdo lider perëndimor dhe aleatët tanë rajonalë për shkak se e nxit Iranin akoma edhe më shumë të zgjerohet, me gjasa në vendet e Gjirit, në hapin e radhës, një qëllim që ata e kanë artikuluar qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme. Përse duhet të presim që ata të ndalen nëse kanë qenë në kazino, kanë dyfishuar paratë herë pas here për një dekadë?”
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/