Floyd Mayweather nuk “ka mbaruar punë” me show-n e tij publik.
Plurikampioni i boksit, edhe pse i tërhequr nga aktiviteti, nuk rresht së provokuari dhe së hedhuri “dorashka” andej këtej, mes njerëzve që krijojnë bujë dhe kanë famë të konsiderueshme.
Më e fundit nga “bëmat” e tij, është një video e publikuar të dielën në mëngjes, ku Kampioni ua bën kokën lëmsh të gjithëve, me gjuhën e hidhur dhe argumentet e thëna troç.
“Ju më njihni tani, unë jam një dollar-fitues i poshtër. Jo më kot më quajnë Money-May. Më kanë njoftuar para disa kohësh dhe unë po ju them se jam gati të bëj edhe 3-4 ndeshje, por nëse shuma që duhet të fitoj të jetë 1 miliard dollarë”- është shprehur mes të tjerash Mayweather, në videon që është përhapur edhe në Youtube.
E pa i lënë të tjerët të marrin frymë nga shifrat “çnjerëzore”, kampioni i boksit, lëshon edhe sfida të tjera. “Nëse do të bindem, mund të kthehem në ndeshje boksi, por mund edhe të ndeshem në Octagon. Nëse arrihet marrëveshja, mund të ndeshem për ato 3-4 ndeshje edhe në Octagon, për të fituar 1 miliard dollarë. Unë ky jam, e ju për këtë më doni, sic edhe unë ju dua juve” – ka qenë mesazhi publik i Mayweather, natyrisht i shoqëruar edhe me fjalë të tjera tipike “të papastra” të fjalorit të tij.
E pas kësaj videoje, të gjithë kanë filluar të përflasin një tjetër ndeshje mes tij dhe Conor McGregor, por kësaj rradhe në ringun e irlandezit, që është Octagon, ose thënë ndryshe, ndeshje në artet marciale mikse. Kaq ka thënë kampioni i boksit, e tani qëndron në pritje, që dhjetra organizatorë e qindra agjentë të lëvizin për ta mundësuar një ndeshje të tillë, edhe më historike se ajo që zhvilloi me McGregor në muajin gusht. Por gjithnjë, nëse plotësohet kushti 1 miliard dollarë. /tesheshi.com/