Kur princi Harry i Britanisë dhe aktorja amerikane, Meghan Markle njoftuan fejesën e tyre, Twitter-i shpërtheu me lajmin se princesha më e re në familjen mbretërore do të ishte “e përzier”. “Kemi një princeshë të zezë”, deklamonte Girl Tyler. “Brohorisni princin Harry dhe Meghan Markle. Martesa e tyre do të jetë lotaria ime e madhe”.
Por, Markle, nëna e së cilës është afro-amerikane dhe babai i bardhë, mund të mos jetë anëtarja e parë mbretërore me gjak të përzier në dinastinë britanike.
Disa historianë dyshojnë se mbretëresha Sharlotë, gruaja e mbretit Xhorxh III e cila i lindi atij 15 fëmijë, ishte me origjinë afrikane.
Historiani Mario De Valdesy Cocom argumenton se mbretëresha Sharlotë zbriste drejtpëdrejt nga një degë afrikane “e zezë” e familjes mbretërore portugeze: Alfonso III dhe konkubinës së tij, Ouruana, maure e zezë.
Në shekullin e 13-të, “Alfonso III i Portugalisë pushtoi një qytet të vogël të quajtur Faro nga maurët”, thotë Valdes. “Ai kërkoi vajzën e guvernatorit për konkubinë, dhe pati tre fëmijë me të”.
Sipas Valdes, një nga tre djemtë e tyre, Martin Alfonso, u martua në familjen fisnike de Sousa, e cila po ashtu kishte paraardhës me ngjyrë. Mbretëresha Sharlotë kishte gjak afrikan nga të dyja familjet.
“I kam dëgjuar këto histori nga dadoja ime xhamajkane, Etheralda”, kujton Valdes.
Ai zbuloi se një mjek mbretëror, baroni Christian Friedrich Stockmar, e përshkruante mbretëreshën Sharlot si “të vogël dhe të kërrusur, me një fytyrë të dallueshme prej mulateje”.
Sër Walter Scott shkruante se ajo “kishte ngjyrë të keqe” dhe e quante familjen e saj si “një tufë orangutangësh me ngjyrë të keqe”.
Një ministër shkroi njëherë për mbretëreshën Sharlot: “Hunda e saj është shumë e gjerë dhe buzët shumë të trasha”. Në disa koloni britanike, mbretëresha Sharlot shpesh nderohej nga njerëzit me ngjyrë për shkak se ata ishin të bindur nga portretet e saj dhe ngjashmëria që vinin re tek monedhat se ajo kishte prejardhje afrikane.
Valdes e tërhoqi shumë kjo histori dhe u befasua nga portretet zyrtare të mbretëreshës Sharlot në të cilat tiparet e saj, thotë si, ishin dallueshëm “afrikane”.
“Nisa një kërkim sistematik gjeneologjik”, thotë ai, e kjo është mënyra sesi ai arriti të gjurmojë paraardhësit e saj në degën gjakpërzier të familjes mbretërore portugeze.
Sharlota e cila ishte lindur më 19 maj 1744, ishte vajza më e vogël e dukës Carl Ludwig Friedrich së Mecklenburg-Strelitz dhe princeshës
Elisabeth Albertine të Saxe-Hildburghausen. Ajo ishte një princeshë gjermane 17-vjeçare kur udhëtoi drejt Anglisë për t’u martuar me mbretin George III, i cili më pas hapi luftë me kolonitë e tij amerikane dhe humbi shumë keq. Nëna e tij me shumë gjasa, zgjodhi Sharlotën si bashkëshorte për të birin.
“Në Londër, entuziazmi i mbretit rritej nga dita në ditë”, shkruante Janice Hadlow në librin “Eksperimenti mbretëror: jeta private e mbretit George III”. “Ai kishte arritur të kishte një portret të Sharlotës dhe thuhej se e kishte marrë shumë qejf, por nuk do të lejonte asnjë sy të vdekshëm ta shihte portretin”.
Mbreti George III urdhëroi qepjen e fustaneve dhe priste që nusja e tij e re të arrinte në Londër. Ai e takoi atë për herë të parë ditën e dasmës më 8 shtator 1761.
“Pasi u paraqit para mbretit, Sharlota “u ul në gjunjë, ai e ngriti atë në këmbë, e përqafoi dhe e drejtoi përmes kopshtit në shkallët e pallatit të tij”, shkruan Hadlow. “Disa reminishenca më të vona pohojnë se në momentin e takimit të tyre, mbreti u trondit nga paraqitja e Sharlotës”.
Në një portret të pikturuar nga Sër Allan Ramsay, flokët e mbretëreshës Sharlotë janë të mbledhur lart me kaçurrela të vegjël. Qafa e saj është e gjatë dhe lëkura duket të jetë ngjyrë kafeje.
Ramsay, thotë Valdes, ishte një abolicionist që u martua me mbesën e lordit Mansfield, gjyqtarit që vendosi në vitin 1772 nxjerrjen jashtë ligjit të skllavërisë në perandorinë Britanike. Dhe Ramsey ishte xhaxhai nga martesa për Dido Elizabeth Lindsay, stërmbesën me ngjyrë të lordit Mansfield. Ata janë një tjetër histori për t’u treguar.
Në vitin 1999, “The London Sunday Times” publikoi një artikull me titullin: “Zbulohen paraardhësit me ngjyrë të mbretëreshës”.
“Thashethemet kanë qenë gjithmonë, por asnjëherë nuk u dëshmuan”, shkruante “The Times”. “Familja mbretërore ka fshehur të dhënat që i bëjnë anëtarët e saj liderë të përshtatshëm për shoqërinë multikulturore të Britanisë. Në këtë familje, pa paraardhës me ngjyrë dhe me raca të përziera të cilën nuk janë bërë të ditur kurrë publikisht. Një gjenealogjist amerikan ka zbuluar se mbretëresha Sharlotë, gruaja e George III, rrishte drejtpërdrejt nga djali i paligjshëm i një konkubine afrikane të shtëpisë mbretërore portugeze”.
Pas historisë së “Times”, “The Boston Globe” i dha zë kërkimeve të Valdes si thyerje tabush. Sharlota e cila vdiq në vitin 1818, ia kaloi trashëgiminë e saj të racës së përzjerë tek stërmbesa, mbretëresha Victoria, dhe tek monarkja aktuale, mbretëresha Elizabet.
Disa akademikë në Angli i kanë hedhur poshtë provat si të dobëta – dhe përtej diskutimit.
“Vërtet, është kaq e largët”, shkroi për “Globe”, David Williamson, bashkëautor i një botimi për lidhjet mes fisnikëve të Europës. “Në çdo rast, të gjitha familjet mbretërore europiane janë të lidhura me mbretërit e Kastijës. Ka shumë gjak maur në familjen mbretërore portugeze që është përhapur në gjithë pjesën tjetër të Europës. Çështja është: kujt i intereson?”.
Zëdhënësi i Pallatit Buckingham nuk e mohoi prejardhjen afrikane të mbretëreshës Sharlotë. Zëdhënësi David Buck tha për “Globe”: “Kjo gjë është folur për vite e vite të tëra. Është çështje e historisë dhe sinqerisht, ne kemi shumë gjëra më të rëndësishme për të folur”.
Valdes shton megjithatë, se në klimën aktuale racore, gjenealogjia është mjaft e rëndësishme për historinë.
“Në reagim të tmerreve të asaj që ndodhi në Charlottesville, qytet që ka marrë emrin për nder të mbretëreshës, origjina e saj është mjaft e rëndësishme”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/