Në këtë ditë, pikërisht 80 vjet më parë, u zhvillua një takim i cili përcaktoi të ardhmen e Ballkanit.
Jozef Stalini, Uinston Çurçilli dhe një… pecetë mjaftuan për të përcaktuar sferat ideologjike të ndikimit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila dukej se nuk ishte shumë larg fundit të saj.
Me Gjermaninë naziste në prag të disfatës, Çurçill dhe Stalini filluan të negociojnë situatën e pasluftës në Evropë, veçanërisht në rajonin e Ballkanit, i cili kishte qenë prej kohësh një pikë kyçe gjeostrategjike dhe fushë beteje për Fuqitë e Mëdha.
Pra, Kryeministri i Britanisë së Madhe dhe lideri i Bashkimit Sovjetik, ndanë Ballkanin në zona të ndikimit në prani të aleatëve të fuqishëm, pa përfaqësues të vetë Ballkanit. Prania e amerikanëve në këtë negociatë ishte më formale, pasi Presidenti Roosevelt kërkoi që ambasadori amerikan Harriman të merrte pjesë si vëzhgues. Megjithatë, Çurçill theksoi se vendimet do të ishin paraprake dhe se Britania dhe Bashkimi Sovjetik kishin fjalën e parë në rajon.
Ekzistenca e kësaj marrëveshjeje u bë e ditur nga biografia e Uinston Çurçillit, i cili madje bëri publike një foto ku paraqitej copëza e letrës në të cilën shënoheshin përqindjet e ndikimit të dy fuqive të mëdha në vendet e Ballkanit.
Më 9 tetor 1944, disa muaj para Konferencës së Jaltës, të dy udhëheqësit u takuan në Konferencën e katërt të Moskës, ku, sipas autobiografisë së tij, Çurçill propozoi që Bashkimi Sovjetik të kishte 90% ndikim në Rumani dhe 75% në Bullgari, ndërsa Mbretëria e Bashkuar të kishte 90% ndikim në Greqi. Çurçill propozoi gjithashtu që te Hungaria dhe Jugosllavia të kishin secili nga 50% ndikim.
Më pas, Çurçill e shkroi marrëveshjen me laps blu në një pecetë, të cilën ia dha Stalinit dhe pasi Stalini e miratoi, ia ktheu. Ky dokument i përket Arkivit Kombëtar Britanik.
Në këtë zhvillim të përshkruar nga Çurçill në kujtimet e tij, ai madje përmend se, pasi Stalini e nënshkroi, ai mendoi nëse do të dukej “cinike” që po vendosej fati i miliona njerëzve në një mënyrë kaq të rëndomtë e për këtë arsye sugjeroi djegien e letrës pecetë. Stalini, megjithatë, nuk u pajtua dhe i tha që ta mbante atë.
Kjo histori, sado e pabesueshme që tingëllon, më vonë u konfirmua nga arkivat ruse të deklasifikuara, të cilat konfirmojnë se takimi u zhvillua më 9 tetor 1944 në orën 22:00 në Kremlin.
Po Shqipëria?
Në letër-pecetën nuk dallohet se ç’u vendos për Shqipërinë, e cila siç dihet mbeti në kampin lindor, atë komunist, duke patur fillimisht marrëdhënie të ngushta me Jugosllavinë, më pas me Rusinë e së fundi me Kinën.
Atë kohë, Greqia kërkonte jugun e Shqipërisë, pra Vorio-Epirin.
Por Jugosllavia, duke u përpjekur të siguronte ndikimin e saj në rajon, pati pretendime ndaj Shqipërisë veriore. Jugosllavët deklaruan se nëse grekët do të fitonin të drejta territoriale në Shqipërinë e Jugut, atëherë ata do të pretendonin edhe për pjesën veriore të vendit, gjë që rrezikonte të shkaktonte tension dhe destabilizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.
Britanikët, duke pasur një rol të rëndësishëm në formësimin e situatës së pasluftës në rajon, iu afruan çështjes me kujdes dhe hezitim. Britania nuk ishte e gatshme të mbështeste pretendimet greke kundër Shqipërisë, veçanërisht nëse ato krijonin probleme në marrëdhëniet me aleatët e tjerë.
Britanikët ishin të shqetësuar se pretendimet e forta greke në Ballkan mund të ndikonin në ekuilibrin në rajon, veçanërisht nëse Turqia kërkonte shkëmbime për të hyrë në luftë me aleatët.
Në këtë kontekst, Ministria e Jashtme britanike vlerësoi se çdo ndryshim kufiri duhet të konsiderohet me shumë kujdes dhe të vendoset në kontekstin e zgjidhjes së përgjithshme të pasluftës.
Qëndrimi i Britanisë u zyrtarizua në dhjetor 1942, kur Sekretari i Jashtëm Anthony Eden bëri një deklaratë publike në Dhomën e Komunave, në të cilën Britania njohu rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e integritetit të saj territorial. Kufijtë e Shqipërisë, sipas Edenit, do të vendoseshin në një konferencë të mëvonshme paqeje, ku do të merreshin parasysh ekuilibrat gjeopolitikë dhe interesat kombëtare të të gjitha shteteve të përfshira.
Ky qëndrim i Britanisë, edhe pse zhgënjyes për palën greke, ishte tregues i strategjisë së saj për të mos shkaktuar paqëndrueshmëri të mëtejshme në Ballkan, pasi rajoni ishte një fushë konfrontimi intensiv midis fuqive të mëdha. /tesheshi.com/