Jose Mourinho mori hak për atë humbje të turpshme të fazës së parë në “Stamford Bridge”. Fitorja e sotme 2-0 e Mançester Junajtedit ndaj Çelsit e rihap fort kampionatin anglez pak javë para fundit të tij.
Rashford në minutën e 7-të dhe Herrera në të 49-tën vulosën fitoren në “Old Trafford”, duke i shkaktuar humbjen e pestë Çelsit në 32 ndeshje të luajtura.
Tani diferenca mes Çelsit të vendit të parë dhe Totenhemit të vendit të dytë zbret në katër pikë, çka e bën kampionatin shumë të paparashikueshëm në pjesën e mbetur të sezonit.
“Çelsi është ekipi më i mirë kundërsulmues në vend, dhe ne e kontrolluam mirë. Jam vërtet i lumtur nga djemtë. Jam i lumtur jo sepse është Çelsi, por sepse na duheshin tre pikët,” deklaroi Mourinho pas ndeshjes.
Mançester Junajtedi u ngjit në vend të pestë në klasifikim, me 60 pikë, por me dy ndeshje më pak e në garë për vendin e katërt.
Po sot, Liverpuli fitoi 0-1 në fushën e Uest Bromuiçit, e renditet tani pas Totenhemit. /tesheshi.com/