Po prezantohet në panairin ndërkombëtar EUROSATORY që po mbahet në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare “Shota”, krijimi i të talentuarës në këtë fushë, Arjeta Puca.
Shqipëria merr pjesë për herë të parë e përfaqësuar nga një kompani 100% shqiptare në këtë panair, ku marrin pjesë rreth dy mijë kompani nga e gjithë bota dhe kjo falë pra kësja te reje shqiptare, kthyer nga emigracioni.
Ky konsiderohet një moment i rëndësishëm nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili shprehet:
“Prezantohet në panairin EUROSATORY në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare Shota. Një moment i rëndësishëm që shënon pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar dhe përfaqëson një arritje të madhe për industrinë tonë të mbrojtjes”.
Automjeti është i pajisur me një teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë. Qëllimi i krijimit të kësaj makine është fuqizimi i industrisë ushtarake shqiptare dhe jo vetëm.
Shota peshon 7 tonë dhe për të cilën janë dashur 24 orë në 24, për tre muaj, për ta ndërtuar. Në të dhëna të tjera, raportohet se për të punuan 17 persona, ku pjesa më e madhe ishin vajza. Dhe nuk është një makinë e parë më parë, pra, një model i kopjuar; është unike në llojin e saj, ku përveçse e llojit blind është dhe makinë anti-minë.
Edhe njëherë pra, Arjeta Puca, e reja me origjinë nga Bulqiza, e cila u bë e njohur nën pandemi prej ambulancave që prodhonte, po bën tashmë historinë, si të sajën personale e si të Shqipërisë, me talentin dhe aftësinë që posedon. /tesheshi.com/