Me tre akuza, Gjykata e Vlorës ka lënë në burg Mihal Kokëdhimën, 51 vjeç, njeriun që sulmoi një grup turistësh spanjollë pas largimit të këtyre të fundit nga restoranti i tij në Porto Palermo, për shkak, siç është thënë deri më tani, të shërbimit të keq. ”
Kanosje”, “dëmtime të tjera me dashje” dhe “shkatërrim të pronës”, janë tre akuzat që rënduan mbi të në verdiktin e dhënë nga gjykatësja Esmeralda Habilaj, pas paraqitjes së tyre nga prokurori Saimir Smaka.
Mbrojtja nga ana e saj tha se do e apelojë vendimin. Ajo ngriti pretendimet se nuk qëndron asnjë nga akuzat e paraqitura, e nsaj sipas saj, klienti nuk duhet mbajtur në burg. Avokatët kërkuan që Mihal Kokëdhima të lirohet me garanci pasurore deri në 3 mijë euro, ose një vlerë tjetër që ta përcaktonte gjykata.
Gjithashtu, mbrojtja bëri me dije një padi të ngritur ndaj dy shoqëruesve shqiptare të grupit të turistëve spanjollë.
Ngjarja është bërë më sensitive pas pamjeve të publikuara një ditë më parë, ku si nëpër filma, Mihal Kokëdhima rrinte mbi kofanon e makinës në ecje, duke thyer xhamin e përparmë të saj e turfulluar.
Ai është lutur që të lihej të punonte, pasi kishte dhe dy fëmijët në shkollë në Gjermani.
“Kam dy fëmijë në shkollë në Gjermani. Ne vetëm dy muaj punojmë. Më lini të punoj”, – tha Kokëdhima., por kjo kërkesë e tij nuk është marrë në konsideratë.
Mihal Kokëdhima njihet si djali i xhaxhait të Koço Kokëdhimës. Ky i fundit, tashmë larg Ramës dhe shoqërisë me të, madje kundërshtar i tij politik, nuk është prononcuar për rastin. /tesheshi.com/