Rrjedh nga një familje liridashëse atdhetare që ka dhënë shumë për kombin, njëherit edhe kontribut të pandërprerë për pajtimin e gjaqeve ndër vite.
Edhe pse i ri në ujërat e politikës synon të ulet në karrigen e kryetarit të komunës së Malishevës, siç thotë për të bërë ndryshimin e jo për t’u pasuruar.
Është ky kandidati i AAK-së, Kajtaz Gashi, i cili mban emrin e heroit Kajtaz Ramadani, njëherit pleqnarit të njohur në Kosovë dhe më gjërë.
Gashi, në një intervistë për tesheshi.com tregon pse vendosi të merrej me politikë, si po i ec fushata zgjedhore, pse duhet që banorët e komunës së Malishevës ta votojnë, ç’ndryshim do të bëjë nëse fiton, si dhe flet edhe për kundërkandidatët e tij…
Intervistoi: Blendi Gashi
Jeni kandidat i AAK-së për kryetar të Malishevës. A mund të na flisni pak për vetën tuaj?
Unë jam Kajtaz Gashi, 43 vjeçar nga fshati Kijevë komuna e Malishevës, me profesion master i Kulturës Fizike dhe Sportit.
Rrjedh nga familja liridashëse atdhetare e Ramadan Shabanit nga Kijeva, i cila ka qenë një nga udhëheqësit dhe organizatorët e shquar të kryengritjeve gjithëkombëtare për pavarësi që sollën krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912, si dhe njihet edhe si pleqnari i Kosovës pasi ka dhënë kontribut të pandërprerë në pajtimin e gjaqeve.
Vlen ta theksojë se Ramadani, edhe të birin Kajtazin (emrin e të cilit e mbaj) e brumosi me idetë për kauzën çlirimtare të popullit dhe në moshën 21 vjeçare pikërisht me 1910 emërohet kryetar komune në Kijevë, dhe më pas u angazhua në legale e ilegale për çlirimin e trojeve të copëtuara shqiptare dhe këtë rrugë ndjeki deri kur u ekzekutua nga OZN-a jugosllave në vitin 1946 në lagjen Touk-Bashqe në Prishtinë ku edhe sot nuk i dihet varri.
Pra unë mbaj mbi supe emrin e një familjari atdhetar që ka qeverisur qysh në moshë të re dhe atë për 12 vite, ku si kryetar i komunës së Kijevës ka reaguar ndaj pushtetit serb për padrejtësitë që i bëheshin shqiptarëve.
Duke parë se gjërat nuk kanë ecur si duhet sidomos nga paslufta, kam vendosur të kandidohem për kryetar të Malishevës dhe të punojë parreshtur për mirëqenien e qytetarëve e cila thënë të drejtën vitet e fundit është përkeqësuar dukshëm.
Pse zgjodhët të hyni në politikë dhe pikërisht me AAK-në e jo ndonjë parti tjetër?
Kam vendosur t’i futem politikës pasi kam vlerësuar se mund të japë kontribut më të madh në përmirësimin e jetës së qytetarëve, këtë rast banorëve të komunës së Malishevës.
Unë për disa vite kam udhëhequr biznese të mija private dhe me shumë përgjegjësi e them se nuk jam inkuadruar në politikë për t’u pasuruar siç bëjnë fatkeqësisht një numër jo i vogël i politikanëve, ku primar kanë pasurimin e tyre, por që të japë kontributin tim aq sa mundem që të ndryshojë pozitivisht gjërat në komunën e Malishevës dhe sigurisht fshatrat e saj.
Kurse jam bërë pjesë e AAK-së për arsye se ky subjekt udhëhiqet nga një njeri që vjen nga një familje atdhetare, ashtu si familja ime, pra nga Ramush Haradinaj i cili ka dhënë shumë për çlirimin e vendit.
Jo vetëm për këtë por edhe pse ky subjekt u jep hapësirën e duhur njerëzve të rinj që duan për herë të parë t’i futen politikës, siç është edhe rasti im që më ka dhënë besimin që të përfaqësojë AAK-në në këto zgjedhje si kandidat për kryetar por edhe shumë të rinjve të tjerë që për herë të parë kanë hyrë në ujërat e politikës.
Si po ju ec fushata zgjedhore? Cilat janë brengat më të mëdha që po ju tregojnë qytetarët?
Fushata po ec mbarë ku së bashku me ekipen time po preznatojmë programin para banorëve. Deri më tani kam takuar banorët e disa fshatrave, si Kijevë, Mleqan etj dhe jam i kënaqur me përkrahjen që kam marrë deri tani duke qenë se angazhohem për herë të parë në politikë.
Brengat e qytetarëve janë të mëdha, por do të veçoja disa prej të cilave edhe banorët i kanë prezantuar para meje.
Brengat më të mëdha të tyre janë varfëria dhe papunësia, por sigurisht jo të vetmet.
Probleme tjera janë edhe mungesa e kanalizimeve, infrastruktura e dobët, probleme në shëndetësi e tjera.
Pse duhet që banorët e komunës së Malishevës të votojnë për ju? Ç’ju premtoni atyre?
Banorët e komunës së Malishevës duhet të më votojnë për kryetar pasi siç e thashë më herët nuk kam hyrë në politikë për tu pasuruar, por për të kontribuuar për një jetë më të mirë për banorët në përgjithësi pa dallime politike.
Askush drejt meje nuk mund ta drejtoi gishtin për afera të ndryshme korruptive, apo diç tjetër pasi jam i pastër si loti dhe premtoi se do jem i tillë edhe pasi të zgjedhem kryetar.
Kurse sa i përket premtimeve, unë nuk dua të jap premtime të mëdha të cilat nuk mund t’i mbajë dhe më pas të mos mundem t’i shohë në sy qytetarët.
Së bashku me ekipin tim kemi identifikuar fushat në përgjithësi ku ka ngecje, pra që duhet një angazhim më i madh dhe nëse fitojmë besimin e qytetarëve së bashku me ta do të punojmë që të rregullojmë problemet.
Nëse arrini të zgjedheni në postin e kryetarit, cilat do jenë top-prioritetet tuaja kur dihet se ky qytet ka problemet e veta si edhe qytetet tjera?
Programi qeverisës i AAK-së në Malishevë për periudhën e ardhshme qeverisëse katër vjeçare bazohet në këto prioritete: zhvillimi ekonomik, zhvillimi i bujqësisë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore si dhe plani strategjik për punësim dhe mirëqenie sociale.
Megjithatë mund të them se prioritet e qeverisjes sime do jenë, zhvillimi i bujqësisë, pra të përkrahë sa më shumë bujqit që të punojnë tokat e tyre dhe të sigurojnë mirëqenien.
Por do të mbështesë pa rezervë edhe të rinjtë që duan të tregojnë talentin e tyre në sport, kulturë, art e fusha tjera.
A besoni se Malisheva do ketë përkrahje më të madhe nëse ju fitoni, kur dihet se kreu i partisë suaj udhëheq me qeverinë?
Mund të them se komuna jonë nga qeveria e fundit është lënë jo pak anash. Besoj se Malishevës do t’i rikthehet përkrahja me kryeministrin e ri Haradinaj, për këtë jam i bindur pasi komuna ynë ka dhënë shumë për çlirimin e vendit dhe Haradinaj nuk i harron asnjëherë çlirimtarët.
Unë para ca ditësh kam zhvilluar një takim me minsitrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, të cilit ja kam shprehur brengën e banorëve për rrugën e shkatërruar Kijevë-Malishevë. Besoj se kjo rrugë do të ndërtohet kur dihet rëndësia e saj, pasi kjo është rruga kryesore që lidh një numër të madh të fshatrave me Malishevën.
Si e shihni konkurrencën dhe betejën me kandidatët e tjerë? Ç’mendoni se jeni ndryshe?
Nuk është shumë në natyrën time t’i komentoj dhe gjykoj të tjerët e aq më pak këtë rast rivalët e mij politikë në këto zgjedhje.
Besoj se banorët e komunës sonë e njohin të kaluarën time ashtu si edhe të kandidatëve të tjerë andaj i mbetet atyre të japin vlerësimin.
Mendoj se do jetë një garë e pastër dhe pa fyerje ku fokusi i vetëm do të jetë paraqitja e brengave të banorëve e jo akuzat ndaj njëri-tjetrit.
Për fund ç’mesazh keni për qytetarët e Malishevës?
Mesazhi im është për banorët e Malishevës është të dalin në mënyrë sa më masovike në zgjedhjet e 22 tetorit dhe të votojnë për kandidatin për të cilin ata mendojnë se është më i duhuri për të udhëhequr komunën. Po ashtu uroj që të shkojë mbarë çdo gjë ditën e votimit në gjithë vendin. /tesheshi.com/