Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Redi Shehu / ‘Lokalet’ e qershorit, të njëjtat arsye për të njëjtat zgjedhje të radhës

Sjellja rutinore paraelektorale e shndërruar tashmë në kulturë politike, tenton të tërheqë pas vetes të veçantën shqiptare të sajën, e cila konsiston në ekstremizimin e qëndrimeve në mënyrë që të bunkerizojë mendimin dhe veprimin politik të elektoratit shqiptar. Një bonus i vjetër ky që ka rezultuar me çimentimin e palëve politike deri në absurd. Periudha para zgjedhjeve lokale po tonifikon mjedisin politik shqiptar, ashtu siç ndodh këto dy dekadat e fundit, me një sforcim të artikulimit dhe veprimit partiak i cili tenton të ashpërsohet progresivisht me kohën. Tabloja përsëritet pothuaj në mënyrë identike çdo cikël elektoral, pavarësisht pozicionimit të  dy partive kryesore shqiptare.

Kështu, për të pafundmen herë, në territorin psiqik të politikës tonë, vërtitet epshi i fortë i pushtetit i cili kapërcen çdo tip norme të moralit që në vetvehte është i ndërtuar mbi bazë kufizimesh. Kufizime të cilat përcaktojnë referencën e vetë  moralit. Një formë e  pakushtëzuar sjelljeje nuk përbën më moral dhe del nga kategoria e të qenurit vlerë. Janë pikërisht kufizimet ato të cilat përcaktojnë vlefshmërinë dhe fusin atë në kategorinë e virtytit. Mirëpo, kufizimet kërkojnë sakrificë e cila bëhet në emër të disa të vërtetave universale. Janë këto të vërteta që i japin moralit bazamentin për të qenë kriteri i përzgjedhjes, që në rastin konkret quhet përzgjedhje elektorale. Votuesit përzgjedhjen e vet e bëjnë mbi kritere morale, partitë politike garojnë kryesisht duke pretenduar se respektojnë disa norma morale. Pra, e gjithë struktura e ndërtimit të pushteteve në parim duhet të bëhet bazuar mbi moralin. Tani, ajo që kërkohet të bëhet është që të qërohet morali nga kufizimet në mënyrë që lëvizjet, aleancat apo edhe fitoret politike të quhen përsëri të moralshme. E nëse do të duhet ta bëjmë këtë, atëhere produkti është sa përbindësh aq edhe i trishtë.

Një elektorat i polarizuar dhe i elektrizuar në të njëjtën kohë është një masë  e mirë elektorale dhe një përfundim elektoral më i parashikueshëm sesa një masë votuesish e cila i drejtohet kutive në formë më spontane. Për këtë arsye gjithë koha e një mandati qeverisës në Shqipëri, në fakt është një fushatë zgjedhore afatgjatë, e cila shpesh është shoqëruar me një retorikë tipike fushatash, pikërisht për ta mbajtur audiencën elektorale në pikun e vet gjatë gjithë kohës. Kjo shpjegon edhe faktin e bunkerizimit të votës në të dy kampet e politikës. Mbajtja për një kohë të vazhdueshme dhe me intensitet të lartë të retorikës elektorale, e kthen përzgjedhjen politike tashmë në përkatësi identitare më shumë sesa përzgjedhje racionale, duke garantuar masa homogjene votuesish të cilat përbëjnë edhe pragun e sigurisë së partive politike në Shqipëri.

Ka një frymë të ndarjes civile me bazë politikën (por që në thelb ka shumë përbërës të trashëguar nga e kaluara jonë e afërt) e cila nuk kontribuon në zbatueshmërinë e drejtësisë shoqërorë ne Shqipëri, përkundrazi , ajo si pasojë e deformimit institucional, me forcë u përpoq të ndërtonte një të ashtuquajturën “drejtësi të personalizuar” e cila marketohej politikisht nga formacione, grupime a parti, si e vetmja zgjidhje apo e “vetmja rrugë”. Kjo klimë e ndarjes politike e civile solli edhe rënien e besueshmërisë ndaj sistemit e për pasoje edhe skeptizmin e lartë ndaj një drejtësie shoqërore faktike në Shqipëri. Barazvlefshmëria e drejtësisë shoqërore me individin apo kultin e tij, apo konsiderimi se vetëm individë të caktuar apo liderë politikë mund të prodhojnë drejtësi, është psikoza më fatale për një shoqëri e cila mundet shumë lehtë të restaurojë diktaturën apo autoritarizmin. Shqipëria ka kaluar tashmë aq kohe politike të mjaftueshme që populli i saj të kuptojë se duhet të çlirohet nga kulti i pagabueshmërisë dhe paprekshmërisë së liderit, nga përdorimi i konceptit të drejtësisë sociale në mjete dhe mënyra për të ndërtuar padrejtësi politike e më pas padrejtësi pushteti.

Për ta ndryshuar këtë sistem përzgjedhjeje mes të këqijash më të vogla, duhet  rivendosja e qënësishme dhe në formë të vërtetë të vlerave si arsye publike të shoqërisë. Që ndershmëria, drejtësia, mirëqënia, antikorrupsioni, morali, familja të kthehen në arsye publike, duhen grupime njerëzish që i kanë ideale jetësore ato dhe jo sllogane sociale, të mund t’i formulojnë ato në ofertë politike e cila duhet mbështetur mbi besueshmërinë dhe këmbënguljen. Është  e pamundur që një ofertë e tillë politike, që të bind për thjeshtësinë dhe qëndrueshmërinë e saj, të mos marrë mbështetje popullore. E nëse e kalon edhe sprovën e të qënurit në pozitë dhe besueshmëria e qëndrueshmëria nuk luhaten, atëhere mund të projektohet si forcë e cila synon drejt lidershipit politik. Mendoj se grupime të tilla në shoqërinë shqiptare ekzistojnë me shumicë edhe pse ndodhen të shtypura nga presioni i lidershipit aktual. Ata duhen vetëm zbuluar e pastruar, ngjashëm me diamantet që qëndrojnë në heshtje në thellësi të tokës.

Liderët tanë politikë, ndërtojnë me shfaqjet e tyre publike, realitete politike sipas qejfit të tyre dhe kur e vërteta vjen me gjithë kokëfortësinë e saj, atëhere ajo refuzohet, përjashtësohet, denigrohet dhe përbuzet. Ndoshta do te ishte më e udhës qe me objektivizëm, punë e thjeshtësi, secili lider ta lejë realitetin të shfaqet vetë pa zbukurime imazhi e artikulimi, kështu, ndoshta edhe fitorja apo edhe humbja, mund të tingëllojë më miqësore./tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts