Zëri i Amerikës, i pozicionuar prej kohësh në një linjë editorale anti-Rama, ka intervistuar një prej më të fundit kundërshtarë të afirmuar kundër tij brenda PS-së, ish-ministrin Bushati, i mbetur së fundi pa asnjë pozicion politik në radhët e mazhorancës.
Duke marrë si shkas rastin e Valdrin Pjetrit, rezultuar me njollë kriminale nga e kaluara, Bushati, përmendi nevojën e krimit të asaj që e quajti “kordon santar” në PS.
“Mjafton të shohim ç’po ndodh me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (bota i njeh si primare), apo në vende të tjera rreth e përqark nesh, para pak kohësh në Itali apo Francë, ku kandidatët që synojnë për të marrë apo ushtruar përgjegjësi politike dhe publike në fazën më të hershme të këtij procesi i nënshtrohen jo vetëm garës brenda partisë, por edhe një lloj mbikëqyrje që është shumë e rreptë, ndonjëherë dhe e pamëshirshme që vjen nga komuniteti. Kjo do të na bënte që të ndërtonim një sistem imunitar brenda radhëve tona, por nga ana tjetër do jepnim një shembull më të mirë, sepse kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Partia Socialiste është një forcë që e ka kapacitetin për tu vetkorrigjuar. Ka energjinë dhe burimet njerëzore për të qenë forcë e ndryshimit dhe çdo garë brenda nesh do duhej të zhvillohej duke respektuar librin e rregullave të shtëpisë tonë, sistemin e meritës, të vlerës dhe natyrisht duke iu ofruar komuniteteve modele më të mira”, u shpreh Bushati.
Më tej, ai rrëzoi zërat për një kalim te Vetëvendosja e Albin Kurtit, selia e Tiranës.
“Kjo është një tollovi treditore e krijuar kryesisht nga teknologët politikë dhe distributorët e lajmeve të rreme. Një miku im i çmuar nga Kosova do ta krahasonte me situatën e ngjashme në Ish-Jugosllavi dhe me teknologjinë që përdorej asokohe për ‘diferencimin ideopolitik’ ndaj njerëzve të cilët likuidoheshin politikisht. Unë besoj që ne nuk e kemi luksin të jemi një matricë neo-jugosllave. Me Vetëvendosjen, me Albinin, por jo vetëm, me të gjithë spektrin politik shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, unë kam kultivuar marrëdhënie profesionale, mbi të gjitha njerëzore të mira, edhe për shkak të funksionimit tim shtetëror të mëparshëm si Ministër i Jashtëm.
Nuk kam asnjë arsye, e jo më ambicie për të lëvizur nga Partia Socialiste të cilën e konsideroj familjen më të madhe politike në vend”, theksoi Bushati. /tesheshi.com/