Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, ata europianë e arabë takohen në Paris në një përpjekje të iniciuar nga francezët për të rigjallëruar procesin e paqes në Lindjen e Mesme, edhe pse në takim nuk marrin pjesë as izraelitët e as palestinezët.
Franca arriti të bindë sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, ministra të jashtëm e zyrtarë nga gati 30 vende si dhe organizata ndërkombëtare për të marrë pjesë në këtë takim që do të përpiqet të parandalojë përshkallëzimin e dhunës.
Presidenti francez, François Hollande, që kryeson konferencën tha se konflikti izraelito-palestinez është në një “ngërç të rrezikshëm”. Takimi do t’u mundësojë pjesëmarrësve të “ripohojnë angazhimin e tyre për zgjidhjen përmes krijimit të dy shteteve dhe vendosmërinë për të krijuar kushtet për rinisjen e bisedimeve të drejtpërdrejta”, tha ai.
Kerry dhe Ban do të jenë në bisedime me përfaqësues nga Bashkimi Europian, Liga Arabe dhe nga vende me rëndësi rajonale si Egjipti, Arabia Saudite dhe Jordania.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka refuzuar publikisht idenë e një konference ndërkombëtare, duke thënë se konflikti i hershëm mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave të drejtpëdrejta mes palëve.
Kryeministri palestinez, Rami Hamdallah, mirëpriti nismën franceze.
Objektivat e takimit, sipas asaj që ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, tha për “Le Monde” janë dy. Së pari, ai shpreson që konferenca të prodhojë perspektivën e një konference tjetër paqeje që do të përfshinte edhe izraelitët edhe palestinezët, e cila do të mbahej deri në fund të vitit.
Së dyti, krijimin e grupeve të punës që do të përgatisnin rrugën për bisedime të mundshme direkte. Një nga grupet do të fokusohej në objektiva ekonomikë, tjetri tek garancitë për çështje të sigurisë që do të bindnin palët të ktheheshin në tryezën e negociatave.
Çështjet thelbësore të konfliktit nuk diskutohen në takimin e Parisit. Franca shpreson të nisë një proces “pragmatist” me shpresën e një progresi hap pas hapi, sipas diplomatëve francezë që thanë se Parisi vlerëson një qasje modeste.
Një diplomat tjetër francez shton se autoritetet janë të vetëdijshme se rruga është e vështirë e qëllimi edhe më shumë i vështirë për t’u arritur. Por, Parisi mendon se ia vlen përpjekja.
Bisedimet më të fundit mes palëve dështuan dy vjet më parë. palestinezët së bashku me pjesën më të madhe të komunitetit ndërkombëtar kanë akuzuar Netanjahun se po minon bisedimet e paqes duke vijuar ndërtimin e vendbanimeve të reja izraelite në Bregun perëndimor dhe në Jeruzalemin lindor – territore ku shpresohet të themelohet shteti i pavarur palestinez.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/