Në një intervistë të rrallë për tipin e saj, Linda Rama ka zbuluar disa nga detajet e jetës së saj me kryeministrin Rama.
Duke folur për Ilva Taren në Euroneës Albania, ajo tha se kurrë nuk festojnë fitoret politike të Edit.
“Doja të thoja këtë gjë, që ne asnjë fitore të Edit, se janë disa fitore, janë gjithmonë fitore në një farë mënyre, të paktën për sa kohë unë jetoj me të, ne nuk e festojmë.
Asnjëherë nuk kemi festuar një fitore të zgjedhjeve të Edit, sepse fitoret e partive në zgjedhje, nuk janë si fitore në sport, që ti je në një kampionat sporti, je më i miri, fiton një kupë, kupa është aty, është e pakontestueshme, e ke për gjithë jetën dhe i gëzohesh asaj kupe.
Në politikë nuk është kështu. Në politikë, një fitore është thjesht një privilegj i madh dhe një mundësi e madhe për të vijuar për të bërë punë.
Dhe ndërsa ti bën gjithë këto punët në vijim, është një stres i përditshëm dhe është një konfirmim që ti e kërkon që ta marrësh çdo ditë dhe çdo ditë të punës tënde”, theksoi bashkëshortja e kryeministrit.
Duke komentuar mandatin e tretë të tij, Linda Rama tha:
“Edi thotë që mandati i tretë s’duhet t’i ngjajë dy mandateve të para. Biem dakord për këtë dhe kur hapet ndonjë aspekt më konkret fillojmë flasim. Por ajo që do të thoja unë se si do ta organizojnë këtë mandat është çështje e Partisë Socialiste dhe e Edit.
Por, ajo që do të thoja unë është që Shqipëria ka arritur në pikën që ka nevojë për zhvillim cilësor dhe për standard. Ky duhet të jetë fokusi dhe mendoj që Shqipëria nuk ka më kohë që të presë që cilësia dhe standardi të jenë kryefjala e çdolloj gjëje që i ofrohet”. /tesheshi.com/