Peticionet e bazës së PD-së kundër kryetarit të kësaj partie, Lulzim Basha, kanë frymëzim nga lart dhe pikërisht nga kundërshtarët e tij në kupolën e partisë.
Jozefina Topalli ka reaguar sot duke paralajmëruar dhe përçarjen e kësaj partie me krijimin e “Lëvizjes për shpëtimin e PD-së” që nisi me këto peticione.
Topalli akuzon direkt Bashën se heq nga lista e anëtarësisë dhe nuk ka nevoje të japë llogari para tyre.
Postimi i Topallit:
Ja pse duhet të mbahen sekret listat e anëtarësisë! Demokratët nëpër Shqipëri kanë nisur një proces proteste për zgjedhjet fiktive të Lulzim Bashës për t’u pastruar kryetar. Një nga nismat e protestës është një peticion i çelur për nënshkrime, me të cilin po kërkohet anulimi i procedurës farsë antistatutore.
Deri me sot Basha nuk ka reaguar për akuzën për shkeljen e statutit, për akuzën për pengmarrje dhe për grabitje të Partisë…ka reaguar (nëpërmjet vartësve në hierarkinë partiake) për njërën nga listat me nënshkrime demokratësh, atë të demokratëve të Vlorës.
Ka ngritur zërin, sepse shumica e nënshkruesve te listës nuk qenkan në listat e anëtarësisë. Unë nuk i njoh firmëtarët e peticionit dhe nuk ka nevojë t’i njoh. Lëvizja për shpëtimin e PD-se është lëvizje në rritje.
Si çdo lëvizje që përfshin dhe bën për vete njerëzit ajo do t’i ketë pranë edhe ata që shkojnë “pas berihajt”, sikurse do ketë me vete dhe ata që duan ta shfrytëzojnë për interesa meskine, apo ta sabotojnë.
Prezenca e tyre nuk e zhben levizjen, nuk e dobeson dot. Forca e levizjes qendron tek e verteta e saj, tek ideali qe mbron, tek motivimi parimor.
Ndaj për Vlorën dhe me firmëtaret e saj unë di të them jashtë çdo lloj dyshimi, se në Vlorë demokratët refuzuan masivisht në zgjedhje “listën Basha”, si listë e shitur dhe aspak përfaqësuese.
Pse nuk reagon Basha ndaj këtij fakti të pamohueshem?
Përgjigja është e thjeshtë: kush nuk voton Bashën nuk mund të jetë “demokrat”. Demokratët Basha i heq nga lista e anëtarësisë dhe nuk ka nevojë të japë llogari para tyre.
I heq nga lista dhe kështu nuk i le edhe ta dëmtojnë në zgjedhjet brenda partisë. Lista sekrete ia jep mundësinë të heqë dhe të vejë, të shpallë “demokrat” ose “armik”, kë të dojë, kë i lepihet pas zverkut dhe kë i prish punë.
Një gjë harron Basha në këtë mes: Partia Demokratike nuk është lista sekrete e anëtarësisë që menaxhon Basha.
Partia Demokratike janë demokratët me shpirt që kanë bërë historinë, demokratët që në Vlorë e mbajtën gjallë PD-në edhe në kushtet e terrorit dhe që i njeh si të tillë e gjithë Vlora.
Mos i përbuzni ata! Anëtarësinë në PD ata e kanë fituar vetë, me mundin dhe sakrificën, me privacionet dhe gjakun që kanë derdhur për PD./tesheshi.com/