Në Suedi, nëse je i pasur, mos e diskuto shumë këtë punë…
Kështu nis rrëfimin një video-artikull i BBC ku tregohet tabuja që kanë suedezët lidhur me diskutimin për paranë dhe pasurinë në përgjithësi.
Në vend është shumë i njohur termi “Jantelagen” apo “Ligji i Jantes” që në shqip kuptohet si ligji i barazisë sociale.
Një ndër vendet me mirëqenien më të madhe në botë, por njerëzit hezitojnë të flasin për shumat e parave që marrin, dhe pasuria nuk është temë diskutimi e shpeshtë.
Kultura e Jantelagen është e mbjellë në secilin cep të vendit nordik. Ky kod kulturor thotë se bashkëfolësi nuk duhet të ndjehet keq para teje, qoftë nëse fiton më shumë apo më pak.
Ndonëse në kulturën perëndimore të flasësh për pagesën është një gjë plotësisht normale, kjo dukuri kundërshtohet fort te suedezët.
Madje të rinjtë në Suedi shkojnë edhe më larg: ata nuk i shfaqin në rrjete sociale udhëtimet e tyre nga frika se ndonjë mik mund të ndjehet më pak i privilegjuar.
Një kulturë e tillë përcillet edhe në shkolla, ku dallimi mes arsimimit privat dhe atij publik është çështje shijesh.
Një mësimdhënëse tregon se fëmijëve nuk u mësojnë shumë rreth konceptit të fitimit të parasë, e për më tepër, as fëmijët nuk duken aq të interesuar për këtë. Në vend, njerëzit flasin më lirshëm rreth raporteve intime sesa rreth parasë.
Por jo të gjithë mund të mendojnë njësoj. Një modele që punon për të fituar nga mediat sociale, thotë se kur dikush punon shumë dhe fiton, duhet të ketë të drejtën të krenohet.
Ajo dhe shumë të tjerë mendojnë se është gjë e mirë që suksesi të festohet, e madje të shfaqet si formë inspiruese.
Ndonëse të dyja palët duket se kanë të drejtën e tyre, shoqëria suedeze vazhdon të mbetet shembull i zbatimit të mirëqenies në praktikë. Ndonëse më shumë se 25 % e të rinjve kanë prejardhje nga shtete të tjera, kultura e vendit është mikpritëse dhe ngjitëse, në kuptimin e mirë të fjalës. /tesheshi.com/