Skënderbeu ka pësuar fiasko të vërtetë në duel me Sporting Lisbonën. Një ndeshje tmerrësisht e dobët për korçarët që duhet harruar sa më shpejt, sidomos për shifrat me të cilat u mbyll ndeshja, (5-1). Pos humbjes në rezultat, kampionët shqiptarë kanë humbur edhe sulmuesin e tyre më të mirë, Hamdi Salihin që u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve.
Në fraksionin e parë të lojës, Skënderbeu ngriti “flamurin e bardhë”, pasi fillimisht në minutën 24, Hamdi Salihi u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë, më pas pranoi dy gola “ekspress” nga penaltia, për të shkuar në dhomat e zhveshjes me kokën poshtë.
Nuk ka se si të ishin ndryshe 45 minutat e pjesës së dytë. Të besuarit e Mirel Josës detyrohen ta nxjerrin topin edhe tri herë të tjera nga rrjeta, për t`u mundësuar portugezëve “manitan” e famshme. Golin e nderit për korçarët në këtë duel e arriti Bajram Jashanica.
Pas tre ndeshjeve, Skënderbeu ka rradhitur tri humbje dhe mbetet me pak shpresa për të synuar kalimin e grupit. Ndeshjen e rradhës, korçarët e luajnë pas dy javëve ndaj po të njëjtit kundërshtar, Sporting Lisbonës.
/tesheshi.com/