Liga Arabe ka shprehur keqardhje për mbajtjen e referendumit kurd për pavarësi.
Liga me seli në Kajro, përmes një deklarate, përsëriti thirrjet për irakenët që të lënë mënjanë përçarjet dhe të angazhohen për një dialog, nën garancitë arabe dhe ndërkombëtare për të zgjidhur çështjet e diskutueshme.
“Është ende e mundur të evitohen pasojat e këtij referendumi nëse palët e interesuara veprojnë me mençuri dhe përgjegjësi”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Ahmed Abul-Gheit.
Pa specifikuar, ai kritikoi përpjekjet e disa palëve për të nxitur ndarjet dhe konfliktet në rajon.
“Interesat e popullit kurd në Irak do të arrihen vetëm brenda një Iraku të bashkuar, federal dhe demokratik bazuar në respektimin e Kushtetutës, barazisë dhe shtetësisë,” tha ai.
Të hënën, irakenët në zonat nën kontrollin e Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) si dhe territoret e kontestuara midis Bagdadit dhe Erbilit votuan në një referendum për shkëputje nga Iraku.
Bagdadi, Turqia, Irani, SHBA dhe OKB janë shprehur të gjithë kundër referendumit, duke thënë se kjo vetëm sa do t’i zhvendosë nga lufta e vazhdueshme kundër Daesh-it dhe do të destabilizojë më tej rajonin.
Qeveria qendrore e Irakut ka kërcënuar të ndërhyjë ushtarakisht nëse votimi çon në dhunë.
Presidenti i KRG Masoud Barzani ka thënë se një fitore ‘Po’ nuk do të rezultojë në një deklaratë automatike të pavarësisë por thjesht do të çonte në negociata të mëtejshme me Bagdadin. /tesheshi.com/