Nga Mensur Krasniqi
Në momente kur veçse ishte harruar si institucion, pas disa muajsh Prokuroria Speciale në Maqedoni ka hapur një lëndë të re, e emëruar si “Target”. Në bazë të provave të publikuara në konferencën për shtyp të Prokurorisë Speciale, zyrtarë të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, në mesin e të cilëve edhe ish-drejtori Sasho Mijallkov, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pajisjeve shtetërore për përgjim.
“Pyetjes thelbësore të cilës Prokuroria duhet t’i japë përgjigje, është kush dhe me çfarë qëllimi ka bërë përgjime në Maqedoni”, kështu e ka filluar konferencën ndihmës prokurorja speciale, Fatime Fetai.
“Dyshimet janë se janë përgjuar të paktën 4286 numra të telefonit, pa pasur ndonjë vendim për këtë, në kundërshtim me ligjin. Dhe ajo që është më tragjike janë përgjuar edhe ato numra të cilët kanë patur kontakt me këta 4286 që kanë qenë cak i përgjimit. Këto përgjime janë bërë nga periudhe e vitit 2008, dhe në bazë të provave, 3 zyrtarë kanë dhënë urdhra pa pasur vendime gjyqësore, në mesin e tyre edhe shefi i DSK-së”, ka vazhduar Fetai.
Gjatë kësaj konference Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se cilët liderë partiak dhe politikanë janë përgjuar më së shumti. Ndër to më i përgjuari sipas transkriptave rezulton lideri i partisë shqiptare në opozitë, PDSH-së, Menduh Thaqi.
Sipas Prokurorisë Speciale Thaçi ka qenë i ndjekur më së paku 1257 ditë në dy numrat e telefonit.
Pas tij radhitet kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti me 1205 ditë (338 në njërin numër, 867 në tjetrin). Ndërsa në vend të tretë është lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev i cili është përgjuar 1150 ditë.
Më pas vjen kryetari i Partisë së Bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkovski që është përgjuar 400 ditë në dy numrat e telefonit.
Është interesante se në mesin e të përgjuarve ndodhet edhe ish-kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani.
Pas publikimit të Thaqit dhe Ahmetit si liderët më të përgjuar, rikujtojmë “miqësinë” e tyre në bisedat telefonike me drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkov, me ç‘rast tani lind pyetja a thua vallë Mijallkov nuk i besoi aq shumë liderëve shqiptar, dhe jorastësisht ndodhen ndër politikanët më të përgjuar në Maqedoni?!
Nga ana tjetër kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski nuk është përgjuar asnjëherë derisa ka thirrur nga numri i tij, por veç kur e kanë kontaktuar të tjerët.
Ndërsa nga ministrat e kabinetit qeveritar shqiptar, më i përgjuar ka qenë zëvendëskryeministri për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferri, edhe atë 1658 ditë, pastaj ish ministri i Lidhjeve dhe Transportit Mile Janakievski, gati 2000 ditë (732 njëri numër, 553 ditë numri i dytë dhe 816 ditë numri i tretë telefonik), por edhe ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska për 732 ditë.
Po ashtu, nga Prokuroria Speciale në konferencën e sotme kanë sqaruar se transkriptat e përgjimeve kanë mbërritur deri në duart e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, pasi që një i punësuar në DSK, një pjesë të konsiderueshme të folderit i’a ka dhënë një personi të dytë, e personi dytë i’a ka dorëzuar Zaevit. /tesheshi.com/