Ditët e fundit, në media u trajtua sërish çështja e parkimeve me pagesë në qytetin e Vlorës, ku prefektja Hoxha që i denoncoi, rezultoi të ishte firmosëse e tyre. Por më e bujshme kjo “histori”, u bë muaj më parë në Tiranë, ku pas një vendimi të Bashkisë së Tiranës për dhënien me konçiension të parkimeve me pagesë, në të cilin nuhatej lehtë një unanimitet mes dy kahjeve politike, për shkak të presionit shoqëror e publik, vendimi u anollua. Por a ka ndonjë precedent real për ta provuar se sa problematik rezulton në kushtet shqiptare parkimi me pagesë? Po! Ky është Fieri.
Parkimi i automjeteve në segmentet rrugore në qytetin e Fierit, është shndërruar në një problem me të cilin qytetarët përballen prej pothuajse katër vjetësh.
Marrëdhënia mes firmës që ka fituar të drejtën të ofrojë këtë shërbim dhe qytetarëve, ka marrë trajtat e një konflikti të vazhdueshëm që, në më shumë se një herë, është zhvendosur edhe në mjediset e organeve të drejtësisë.
Para katër vitesh, shoqëria private ‘Ínternational Parking 2011’, u kontraktua prej bashkisë së qytetit myzeqar për të administruar hapësirat e parkimeve publike, çka shënoi edhe fillimin e kësaj historie me mjaft aktorë.
Për subjektin dhe Bashkinë, kjo formë shërbimi ka qenë e sukseshme. Për qytetarët, jo. Madje, janë këta të fundit që shpesh kanë përcjellë ankesa pranë qeverisjes vendore, për mënyrën e menaxhimit, ose më saktë për vjedhjen që u bëhet atyre.
Qytetarët shprehen se problemi nuk qëndron vetëm dhe thjesht tek tarifa prej 50 lekë/ora, por tek mënyra sesi operon firma. Një vonesë sado e vogël në pagesën e detyrimit, i çon drejtuesit e automjeteve automatikisht në gjoba që arrijnë në vlera të larta.
“Para katër muajsh u gjobita nga firma me një vlerë prej 130 mijë lekësh të vjetër, për shkak të vonesës së pagesës së tarifës”, thotë A.S, një 45 vjeçar nga qyteti. Sipas tij, në momentin që ai gjeti një vend të lirë për të parkuar automjetin, punonjësit e firmës nuk ndodheshin në krye të detyrës. 30 minuta më pas, u kthye tek autovetura, por e gjeti atë të bllokuar, ndërkohë që një prej punonjësve i zgjati faturën e gjobës.
“Nuk kisha qëllim të shmangesha nga detyrimi, por mendova ta paguaja atë kur të kthehesha”, sqaron 45 vjeçari, që shton se, nuk dinte sa do të vonohej në Bashki.
Por raste të tilla janë të shumta. Disa qytetarë tregojnë se jo rrallë ndodh që punonjësit e parkimeve fshihen qëllimisht dhe në momentin që ata largohen, për të mbaruar punët e tyre, afrohet karroatreci që transporton automjetin në vendin e caktuar për bllokim. Pas kësaj, pagesa e gjobës prej 13 mijë lekësh, mbetet e vetmja alternativë për të rimarrë mjetin.
Të tilla masa drastike, sipas qytetarëve, e zhvleftësojnë këtë formë menaxhimi të parkimeve publike dhe e shndërrojnë atë nga zgjidhje, në një problem. Madje në një problem që është zhvendosur në dyert e organeve të drejtësisë.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, Prokuroria nisi një procedim penal me akuzën “Shpërdorim detyre”, në ngarkim të Bashkisë, dy zyrtarëve të saj dhe katër punonjësve të firmës ‘International Parking 2011’.
Nga hetimi i Prokurorisë, bazuar edhe tek ankesat e qytetarëve, rezultoi se nga ana e përfaqësuesve të Bashkisë së Fierit, të ngarkuar me detyrën e monitorimit të kontratës me firmën e administrimit të parkimeve, ishte abuzuar në mënyrë të dukshme me qytetarët.
Mjaft drejtues automjetesh, nga Fieri dhe qytete të tjera, kishin depozituar kallëzime ku denonconin këto abuzime që arrinin në gjoba të paargumentuara në vlera të larta prej më shumë se 10 mijë lekësh “për parkim të gabuar”.
Sipas Prokurorisë, Bashkia e Fierit e subjekti ‘International Parking 2011’, në mënyrë flagrante kishin lejuar dhe kishin kryer veprime që u kishin shkaktuar dëme të mëdha ekonomike qytetarëve të shumtë, duke aplikuar gjoba të pajustifikuara ndaj drejtuesve të automjeteve për parkim në zona të ndryshme të qytetit.
Por, kjo akuzë u kundërshtua nga drejtuesit e kompanisë, të cilët u mbrojtën duke u shprehur se aktiviteti i administrimit dhe shërbimit të parkimeve, kryhej në përputhje të plotë me ligjin, në përmbushje të kontratës së lidhur me Bashkinë, sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të vitit 2011.
Historia nis 12 vjet më parë
Në fakt, historia e administrimit të parkimeve publike nga një subjekt privat në qytetin e Fierit, nis 12 vjet më parë. Në vitin 2003, këtë të drejtë e fitoi një firmë hungareze, që dështoi qysh në muajt e parë të aktivitetit. Projekti i saj për të vendosur dhe zbatuar standarde bashkëkohore në menaxhimin e parkimeve, u përball me reagimin e qytetarëve, të cilët e bojkotuan në bllok aktivitetin e kompanisë së huaj, që kishte vendosur tarifa relativisht të larta, që arrinin në 100 lekë/orë.
Aparaturat e pagesave të detyrimeve monetare, të vendosura në vende të caktuara në rrugët e qytetit, nuk funksionuan pothuajse fare. Ato mbetën si relike të një projekti të nxituar që ishte miratuar pa u konsultuar me qytetarët.
Por me gjithë këtë përvojë negative, “parkimi” do të kthehej sërish në vëmendjen e Bashkisë. Me një vendim të Këshillit Bashkiak të 20 dhjetorit të vitit 2011, u kontraktua shoqëria ‘International Parking 2011’, për të ofruar këtë shërbim, që tashmë është shndërruar në një problem për qytetin dhe qytetarët.