Brenda tre muajsh, presidenti Hashim Thaçi do ta riproçedojë në Kuvend, projektligjin, nëpërmjet të cilit Forcat e Sigurisë (FSK) parashihet të transformohen në ushtri.
Kjo, në rast se serbët vazhdojnë ta bllokojnë realizimin e këtij proçesi nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kujtojmë se gjatë marsit, presidenti Thaçi e dërgoi draftin në Kuvend. Kjo iniciativë nxiti kundërshtimin e aleatëve strategjikë të Kosovës, e veçmas SHBA-ve, Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, të cilët nuk janë kundër ushtrisë, por duan që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura (FAK) të ndodhë me Kushtetutë.
Ata kanë sugjeruar diskutime edhe me përfaqësuesit e serbëve, në mënyrë që edhe ata të binden për ushtrinë.
Pas shpërndarjes së Kuvendit, të gjitha projektligjet u janë kthyer propozuesve, e midis tyre është edhe ai për FSK-në.
Ndërkaq, zgjedhjet e parakohshme kanë dërguar në Kuvend deputetë serbë me qasje të pandryshuar ndaj ushtrisë së Kosovës. /tesheshi.com/