Duke ndjekur paradigmën “kush punon dhe gabon”, ose “njerëz jemi, gabime bëjmë”, Urdhri i Mjekut, ai i Infermierit dhe ai i Stomatologut kërkojnë që gabimi mjekësor në detyrë nuk duhet konsideruar vepër penale, por civile. Sipas tyre, duhet të bëhen amendime në nenin 96 dhe 97 të Kodit Penal, duke gjykuar se janë hartuar gabim dhe, ndryshe nga eksperienca botërore, e ndëshkojnë mjekun me të padrejtë.
“Së pari, neni 96 të saktësojë mirë mjekimin e pakujdesshëm, ose neglizhencën mjekësore, ta specifikojë qartë dhe ta ndajë nga gabimi mjekësor, nga fatkeqësitë mjekësore, nga risku që një njeri ka normalisht kur shkon në strukturat shëndetësore, në mënyrë të tillë që të mos abuzohet që çdo gabim mjekësor të quhet mjekim i pakujdesshëm dhe padrejtësisht të hyjnë mjekët në procedura ligjore”, tha Dr. Fatmir Ibrahimaj, nga Urdhri i Mjekut duke folur para deputetëve në Komisionin e Shëndetësisë.
“Ne duam që, sa herë që gjykohet që ka një gjykim të pakujdesshëm, veç ekspertit mjekoligjor të ketë edhe një ekspert të fushës. Jo të arrestohet mjeku si gjë e parë, pastaj të analizohen gjërat. Kjo nuk është e drejtë”, deklaroi më tej Dr. Fatmir Ibrahimaj.
Ky reagim vjen pas rastit më të fundit, atë të vdekjes së një nëne dhe foshnjës së saj në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, ku si pasojë u penalizuar dy mjekë, e ku kolegë të tyre dolën në protestë për t’i përkrahur e kundërshtuar arrestimin që iu bë. /tesheshi.com/