Pasi u përfol se raportet e Albin Kurtit me kryeministrin Edi Rama do të jenë fillimisht “të ngurta”, një intervistë e TCH e sqaroi pozicionin e fituesit të zgjedhjeve në Kosovë përballë Shqipërisë.
Kur u pyet se cili do të jetë bashkëpunimi i tij me Ramën, Kurti më tepër u ndal në planet e bashkëpunimit sesa në raportet ekzistente, siç dihet, të ftohta.
“Unë besoj që do të bashkëpunojmë mirë, e njoh kryeministrin e Republikës së Shqipërisë. Ne kemi nevojë që ato marrëveshje që deri tash janë nënshkruar sa më shumë t’i zbatojmë. Unë besoj do të kishte qene mirë të kemi komisione qeveritare sa i përket politikës së jashtme, mbrojtjes së sigurisë dhe mbrojtjes së burimeve natyrore, por gjithashtu edhe një regjistër të përbashkët civil dhe të bizneseve.”
Ai iu rikthye idesë së bashkëpunimit më të fortë, duke thënë se si Kosova ashtu edhe Shqipëria kanë hapësirë dhe mundësi që të integrohen me njëra-tjetrën shumë më shumë se sa që aktualisht janë
“I gëzohem bashkëpunimit që do të kem me Republikën e Shqipërisë sepse edhe nevojat e qytetarëve edhe vullneti im është për këtë gjë”, përfundoi Kurti. /tesheshi.com/