Nga Blendi Gashi
Largimet e fundit të politikanëve kosovarë nga partitë e tyre për t’u transferuar gjetiu, po brenda politikës, po komentohen në mënya të ndryshme.
Sidomos ikja e Donika Kadaj-Bujupit nga AAK dhe Ilir Dedës nga Vetëvendosje po vazhdon ende të çoijë pluhur.
Kjo për arsye se deputetët e lartcekur deklaruan se ikën nga partitë ku vepruan për disa vite, për shkak të parimeve.
Por përtej deklarimeve, asnjë nga deputetët e dorëhequr nga partitë e tyre, qoftë këta të fundit apo edhe deputetë të tjerë nuk ishin të gatshëm të braktisin edhe privilegjet. Ndër to është dhe vetë mandati i deputetit. Kur e lënë partinë në emër të së cilës kanë mandat, ata këtë të fundit nuk e braktisin së bashku me partinë.
Analistët politik ënë vend kanë mendime të ndryshme rreth çështjes nëse deputetët që braktisin partitë e tyre duhet apo jo të dorëzojnë mandatin e deputetit.
I pari që e ka ngritur këtë temë është analisti politik, Jusuf Thaçi, i cili ka thënë se deputetët Donika Kadaj-Bujupi dhe Ilir Deda, do të ishte parimore që të dorëzonin mandatin e deputetit, në mënyrë që subjektet përkatëse t’i zëvendësojnë ata dhe të kenë numrin e deputetëve në Kuvend ashtu siç i kanë fituar në zgjedhje.
“Kjo rregull nuk ka vlejtur më herët, meqë, ‘lëvizjet e mëhershme të deputetëve janë bërë për pazare’, ndërsa këta dy të fundit, ‘po thonë se e kanë bërë për arsye parimore dhe parimësia e kërkon edhe këtë sakrificë’”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Dorëzimi i mandatit, akt moral
Mendim të njëjtë si Thaçi ka edhe analisti politik, Islam Krasniqi, i cili thotë se në rrethana normale të dy deputetët Kadaj-Bujupi dhe Deda do të duhej që ta dorëzonin mandatin e tyre të deputetit, të cilët e kishin fituar me ish-partitë e tyre, sepse ata u votuan në kuadër të partisë, e jo si të pavarur.
“Dorëzimi i mandatit ish dashur të shihet si akt moral, sepse të dy anëtarët e larguar nga ish partitë e tyre, arsyetohen së u larguam për arsye parimore, por në vendin tonë një vendim i tillë nuk ka ndodhur asnjë herë. Në një vend demokratik jo që do të dorëzonin mandatin por edhe do të kërkonin falje elektoratit të që ju kërkuan votën, për veprimin e tyre”, thotë Krasniqi, për tesheshi.com.
Mandati i deputetit personal
Për dallim nga analistët Thaçi e Krasniqi, mendim krejt tjetër ka Mazllum Baraliu, njohës i rrethanave politike, njëherit ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili thotë se është e drejtë e deputetëve të lëvizin nga një parti në tjetrën kur shohin se nuk merren parasysh qëndrimet e tyre.
Baraliu thotë se mandati i deputetit është personal dhe fitohet nga elektorati, qytetarët e një subjekti politik dhe fitohet edhe në bazë të vlerësimit, personalitetit, kontributit të kandidatit dhe ai në Kuvend është personal ashtu si edhe përgjegjësia.
“Nuk shoh diçka të keqe, nëse një deputet-e, mendon se është më kontributdhënës dhe për më tepër në frymën e kërkesave që u janë dhënë votuesve të kaloj në një parti tjetër. Kur diçka nuk shkon mirë në një subjekt politik, kur shkelen parimet e subjektit dhe krahas tyre shkelen edhe bindjet e një deputeti, nuk zbatohet programi që është dhënë para votuesve, atëherë ai/ajo sigurisht nuk e sheh të arsyeshme të vazhdoj më tej me subjektin në fjalë”, thotë Baraliu për tesheshi.com.
Ndryshe, përveç Kadaj-Bujupit e Dedës, deputetët të tjerë që u larguan nga partia dhe sigurisht nuk dorëzuan mandatin por u bën të pavarur ose pjesë e ndonjë grupi tjetër parlamentar janë edhe Melihate Tërmkolli u largua nga AAK dhe iu bashkua LDK-së, Shaip Muja u largua nga PDK dhe u bë i pavarur, Margarita Kadriu poashtu la PDK-në dhe u bë e pavarur. /tesheshi.com/