Intervista e Joe Dioguardit, politikanit, lobistit dhe financierit të njohur shqiptaro-amerikan dhënë për tesheshi.com nëpërmjet gazetarit Sajmir Sula , ka shkaktuar një polemikë të fortë në sallonet politike të Tiranës. Partia Demokratike reagoi ashpër ndaj ish-kongresmenit republikan nga Nju Jorku me origjinë nga një familje arbëreshe e Kalabrisë, duke aluduar në “blerjen e tij” nga Rama.
Por tej këtij këndvështrimi të ngushtë politik, duhet kujtuar se ai, Dioguardi, ka qenë njeriu që për gati 20 vjet ka “pastruar” imazhin e politikës shqiptare në Uashington.
E ç’është më kryesorja, duhet kujtuar dhe fakti se ai, krejt haptazi ka lobuar dikur për Sali Berishën.
Le të kthehemi pas në vite. Joseph Dioguardi, i cili erdhi në Tiranë me një delegacion të madh kongresmenësh, që në verën e vitit 1990 ku takoi Ramiz Alinë, u këshillua nga Elez Biberaj në Uashington që të bisedonte me një kardiologun që quhej Sali Berisha, pasi ky i fundit kishte nisur që të shkruante dhe aktivizohej në procesin demokratik.
Ishte Dioguardi ai që e dërgoi Berishën në vitin 1991 në Komitetin e Helsinkit të Kongresit Amerikan, ku foli edhe Kadare. (Kryetar i komisionit ishte hebreu Tom Lantosh, miku i ngushtë i Dioguardit).
Në mënyrë të hapur, Dioguardi, i cili u bë edhe kreu i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, një organizatë lobiste për çështjen shqiptare, mbështeti Sali Berishën dhe Ibrahim Rugovën në sallonet e politikës amerikane duke i prezantuar si “aseti shqiptar i stabilitetit në Ballkan”.
Në vitin 1996, kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte Bill Clinton, administrata e tij i kishte keqësuar shumë marrëdhëniet me Sali Berishën, atëherë president i Shqipërisë, ndërsa Ibrahim Rugova u ftoh me mikun e tij Sali Berisha, pasi ky i fundit po dilte kundra amerikanëve.
Por edhe pse Rugova, pas vizitës së tij të fundit në Tiranë në vjeshtën e 1996-s, nuk i foli më Sali Berishës, Joe Dioguardi u përpoq jo vetëm që përplasja e tyre të mos dilte në publik, por bëri disa tentativa që t’i pajtonte.
Nga ana tjetër, arbëreshi me përvojë në politikën amerikane, kur Sali Berisha ishte i braktisur nga të gjithë, i qëndroi pranë dhe u përpoq që ta nxirrte nga “izolimi politik”.
Në vitin 2000, Berisha që sapo kishte humbur zgjedhjet lokale në Shqipëri ishte braktisur nga thuajse të gjitha kancelaritë e njohura, por sidomos me SHBA, pasi ambasadoren Mariza Lino, njerëzit e PD-së e kishin linçuar edhe publikisht.
Dhe në këtë periudhë të vështirë ishte Dioguardi ai që arrin t’i sigurojë Sali Berishës një vend në ceremoninë e betimit të Presidentit të sapozgjedhur, George Ë.Bush, të cilin Berisha do ta takonte 8 vjet më vonë kur ishte Kryeministër i Shqipërisë.
Dioguardi është autori i lidhjes së marrëdhënies së ngushtë mes Sali Berishës dhe Ramush Haradinajt, i cili i beson verbërisht këshilltarit të tij Joe, apo siç i thërrasin në ambientet politike amerikane “Joe financiari”, si pasojë e librit që e bëri të famshëm mbi harxhimet e pamata që bëhen nga Kongresi dhe për kongresin.
Por kur Berisha u rikthye në pushtet në vitin 2005, i ktheu shpinën Dioguardit, duke tentuar lidhje të reja politike në Uashington DC. Me ndërhyrjen e Lulzim Bashës, por natyrisht edhe të klaneve të lobit grek në SHBA, u pajtua nga PD-ja si lobiste kompania Podesta, e cila ishte shumë pranë Presidentit Barack Obama dhe Departamentit të Shtetit.
Në këtë kohë, marrëdhëniet mes Sali Berishës dhe Joe Dioguardi u thyen në mënyrën më të parikuperueshme. Por si Berisha, ashtu edhe Dioguardi nuk folën kurrë për këtë marrëdhënie. Vetëm disa vjet më pas ndodhi që ish-kongresmeni kritikoi PD-në se ka zhgënjyer shumë nga shqiparo-amerikanët.
Dhe siç po vihet re, ky zhgënjim e kjo ndarje vazhdon. Qëndrimet e Dioguardit dhe deklarata e ashpër e PD-së ndaj tij, tregojnë krisjen e madhe dhe të parriparueshme mes tyre. /tesheshi.com/