Sot, italiani Giani De Biassi ka përfunduar ciklin e tij shqiptar, duke marrë me vete një pasaportë shqiptare, si dhe titullin “Honoris Cauza”. E po lë në këtë vend një eksperiencë të mrekullueshme dhe kujtime të pashlyeshme triumfi, sado me zhgënjime të herëpashershme, siç ishin dhe ca të fundit.
Dhe është rasti këtu të kujtojmë një fjalim të tij pasi iu dha “Honoris Cauza”, pikërisht më 3 tetor të 2015-ës, ku thotë shumëçka mbi përvojën e tij shqiptare, njohjen me shqiptarët, atë çfarë ndodh në fushën e lojës e jashtë saj, me top dhe pa top…
Fjala e De Biassit:
Jam shumë i nderuar që gjendem këtu mes jush, me rastin e kësaj ceremonie organizuar për dhënien mua të titullit “Honoris Causa” për shkencat sociale. Më ka rastisur dhe njëherë tjetër që të mbaj një leksion para studentëve të Universitetit të Breshas, por kurrë më parë para një kolegjiumi akademik.
E megjithatë, që i vogël kam dëshiruar gjithmonë ta arrija këtë objektiv, për t’u formuar, për dashurinë për dijen, dhe për përftuar shanse të mëdha profesionale. Sonte, këtu, para jush, po përjetoj një moment shumë të ndjerë, i përfshirë plotësisht.
Gjendem këtu, para jush, dhe jam më i emocionuar se sa herën time të parë në Camp Nou të Barcelonës, ku përballë meje dhe skuadrës time ishin Mesi, Eto, Ronaldinjo, Xavi dhe Iniesta. Jam i nderuar që po e marr këtë nderim nga një Universitet prestigjioz me mbiemrin EUROPIAN. Shpresoj shumë që ky titull të na sjellë fat për kualifikimin e Kombëtares sonë në Europianin 2016.
Më nderon shumë marrja e këtij titulli, pasi para meje i është akorduar personaliteteve të shquar të nderuar dhe me çmime Nobel, studiuesve të shquar, ndërmarrësve të mëdhenj. Mes tyre, po shoh pjesëmarrës, ish-Presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ndërtoi një grup të madh, duke shfrytëzuar kreativitetin e vet, të bashkëpunëtorëve të vet, kryesisht shqiptarë, për të arritur suksese ndërkombëtare.
Ndërsa mora lajmin e dhënies për mua të titullit të nderimit akademik, duke lexuar motivacionin, mendova të ndaja me ju, një reflektim të shkurtër mbi disa pika kontakti midis sportit dhe botës akademike.
Mendoj se talenti është një vlerë e pashmangshme, në të dyja fushat, por vetëm talenti nuk mjafton për të prodhuar rezultate.
Nëse atij nuk do t’i shtonim përkushtimin, kuriozitetin, pasionin, talenti do të mbetej i pafrytshëm, dhe potenciali nuk do arrinte të shpërfaqej.
Dhe këtu figura e pedagogut, dhe trajnerit, bëjnë dallimin, pse të dy kanë aftësinë për “të apasionuar dhe kuriozuar”, studentët e vet, futbollistët e vet dhe në përgjithësi të rinjtë.
Detyra e një edukatori, e një mësuesi, e një trajneri, duke llogaritur se ka “kompetencë” është ajo për të tërhequr, për të bërë të interesuar, dhe për t’i përfshirë djemtë e vet, duke i ndihmuar të shprehin ato aftësi që kanë brenda vetes, duke shtuar vetëvlerësimin, dhe vetëdijen për atë që ndihen se janë.
Kush e ndjek sportin, i njeh dinamikat që vënë në lëvizje sportet individuale dhe ato të skuadrës, vështirësitë për të bërë bashkë atletë me cilësi teknike të shquara, por me personalitete, karaktere dhe interesa të veçantë. Ndonjëherë vështirësitë lindin nga kufijtë njerëzorë, që shpesh nuk merren në konsideratë, apo nënvlerësohen, por që janë shkak dështimesh dhe për ekipe të paguar shumë.
Lojtarët me talent të madh mund të lodhen më shumë sesa duhet. për “të bërë skuadrën”.
Ja pra, “ të bësh skuadër, të shpërfaqësh shpirtin e skuadrës”, të bësh të ndihet përkatësia në një projekt që mundëson të shkëlqejnë cilësitë e individit, janë ngjitësi, lidhësi, që të lejon të bësh një ekip fitues prej një skuadre çfarëdo.
Kur them “fitues” nuk i referohem vetëm rezultatit në një kampionat, apo në një turne, dua që të nënkuptohet, përkundrazi, një grup pune, një ekip kërkuesish, një skuadër, futbolli/volejbolli/, basketbolli, që nëpërmjet një organizimi, një strategjie dhe një identiteti “mendimi” arrin të përmbushë objektivin e paravendosur.
E imagjinoni që kjo skuadër fituese, të jetë në rastin konkret Kombëtarja jonë, që është pjesërisht e përbërë nga qytetarë shqiptarë që jetojnë në vendet fqinjë, apo pjesë e diasporës së madhe, e që po lufton e bashkuar në kërkim të një objektivi madhor?
Po ju sjell si shembull njerën prej eksperiencave të mia të mëparshme. Kur mbërrita në Modena, skuadra prej vitesh gjendej në Serinë C. Një qytet, dhe një shoqëri e zhgënjyer prej dështimesh, vit pas viti. Investime të rëndësishme nuk i korrespondonin rezultatet e shpresuara.
Vendosa të ndërroj strategji. U fokusova tek lojtarë të rinj dhe që kishin shumë dëshirë të luanin. Atë vit, fituam kampionatin e serisë C, vitin e mëpasëm, kampionatin e B-së, dhe mes habisë së të gjithëve, u gjendëm në serinë A, në vetëm dy vjet.
Dy vjet më pas, Presidenti Urbano Kairo, e nxori nga falimentimi shoqërinë FC Torino. Ishim në gusht. Skuadra duhej të bëhej nga e para. Unë dhe stafi im përzgjodhëm lojtarët në 15 ditë, në 15 ditë i stërvitëm me intensitet dhe atë vit hymë në Serinë A.
Cilët ishin faktorët e këtyre kalërimeve fitimtare?
Para së gjithash, t’i japësh besim lojtarëve dhe njerëzve me vlerë të sigurt, edhe pse janë pak të njohur; një projekt teknik që bazohet në një lojë të shpejtë dhe agresive; kompaktësia e grupit dhe shpirti i skuadrës.
Vijmë atëherë tek puna ime në Shqipëri. Duke diskutuar me disa miq shqiptarë, rreth rëndësisë së talentit në sektorë të ndryshëm, dikush prej tyre më kujtoi vargjet e një poeti britanik i cili vizitoi Shqipërinë në shekullin e 19-të, Lordit Bajron. Po përpiqem ta them në shqip, sepse dua të jap më mirë kuptimin e tyre:
Të rreptë bijt’ e Shqipes! Po vetitë
nuk u mungojnë; veç t’ishin më t’arrira;
Edhe më parë Shqipëria ka patur lojtarë të shkëlqyer, madje besoj që Shqipëria vërtet ka patur një grup lojtarësh me të vërtetë të talentuar. Ndoshta u ka munguar diçka që një përzgjedhje lojtarësh të zotë, të bëhej një skuadër e mirë…
Besoj se njëri nga limitet, nëse mund t’i quaja kështu, është ai që të mendosh vetëm për interesin personal, para se të mendosh për atë të skuadrës tënde: D.m.th të paravendosësh përemrin “unë”, para atij që është shumëpërfshirës “Ne”. Unë luaj-ne luajmë; unë luftoj-ne luftojmë; unë fitoj-ne fitojmë!
Një aspekt tjetër, ka qenë vështirësia objektive e prejardhur prej izolimit që Shqipëria ka vuajtur përkundrejt perëndimit. Pamundësia për t’u matur me pjesën tjetër të Evropës, nuk i ka lejuar lojtarëve të piqeshin në eksperienca të rëndësishme, për një rritje të qëndrueshme, duke izoluar dhe trajnerët nga ballafaqimi me shkolla të tjera futbolli.
Një kufizim tjetër, që e kam hasur në këto vite, ka qenë dhe ai i “ të përshtaturit”, apo i “ të kënaqurit me pak”, d.m.th., me rezultatin e arritur, duke u lodhur pamasë në fokusimin tek rezultati tjetër.
Dy vitet e para si Komisar teknik në Shqipëri kanë qenë shumë të ngjeshur, plot energji të shpenzuara për mua dhe bashkëpunëtorët e mi, të përqëndruar në përzgjedhjen e lojtarëve, në krijimin e skuadrës, në dhënien asaj të një fizionomie loje në përputhje me individualitetet e pranishme, kontrollimi edhe i detajeve si logjistika, dieta, etj. Kemi udhëtuar shumë për t’u takuar dhe folur me lojtarë të rinj, duke u shpjeguar atyre projektin tonë, duke kuptuar se sa shumë mund t’i përfshinim dhe çfarë roli mund t’u jepnim në skuadër. Duhet të hynim “brenda” kësaj situate të re, të kuptonim vlerën e gjithsecilit, mentalitetin e tyre, ambiciet, ëndrrat…
Pas tre vjetësh ndoshta po vilen frytet e para të kësaj pune. Fitorja me Portugalinë dhe barazimi në Francë, por sidomos fitorja në Elbasan kundër Pogbasë dhe shokëve të tij, tregojnë masën e nivelit që kanë arritur futbollistët tanë.
Falë kontributit të çdo personi të veçantë që punon për Ekipin Kombëtar, dhe punës në fushën e stërvitjes, që kishte synim përmirësimin në çdo aspekt taktik, sot kemi një grup të ri, që ka akoma hapësirë për t’u përmirësuar më tej.
Nje falenderim i vecante, i ndjere shkon Presidentit Duka, qe e ka organizuar Federaten me kritere manageriale, dhe largpamese. Pa kete mbeshtetje, me shume mundesi rezultatet nuk do te kishin arritur;
nje falenderim dhe kryeministrit Rama, per vemendjen e tij te vecante per sportin ne pergjithesi, dhe futbollin ne vecanti, me pranine e tij te vazhdueshme ne krah te Kombetares sone;
Kjo mënyrë për të konceptuar GRUPIN, mund të përvetësohet për konceptimin e një SISTEMI SHTET.
SISTEMI FUTBOLL DHE SISTEMI SHTET përplotësohen, për t’i dhënë jetë një projekti të përbashkët rritjeje dhe zhvillimi, sepse çdo sport skuadre merr një rol të rëndësishëm në formimin e të rinjve, sepse të jetosh “si skuadër”, ndihmon në procesin e rritjes, për të respektuar rregullat, për t’u përballur me humbjet dhe arritur fitoret.
Sporti duhet të futet në një program shkollor, me një projekt edukativ të ri, që të përfshijë disa disiplina, dhe që t’i lejojë të rinjve të rriten në një mjedis konkurues, por me rregulla të qarta.
Motivacioni i këtij nderimi thotë: për rolin tim dhe Kombëtares në përmirësimin e imazhit të këtij populli, në rilindjen e një ndjenje të re kombëtare shqiptare, në krijimin e modeleve për të rinjtë e talentuar shqiptarë në gjithë botën”.
Më vjen shumë mirë që ky kontribut yni është njohur dhe vlerësuar edhe në një mjedis akademik. Nga ana ime jam dëshmitar, por dhe autor së bashku me të tjerë për këtë rritje dhe rilindje të kësaj ndjenje kombëtare, jo patriotike, por si e them më sipër, i një ndjenje përkatësie. Për këtë jam krenar.
Në këtë ekip kombëtar, me një flamur të vetëm, flamurin e kuq, me shqiponjën e zezë dykrenore, bashkohen individë që ndihen shqiptarë, me gjak dhe me shpirt, nga Shqipëria, nga Kosova, Maqedonia, Presheva, Greqia, diaspora. Kjo ndjenjë bashkimi e parë në fushë dhe e projektuar jashtë saj, te tifozët, në popullsitë që ndihen shqiptarë, që nga rrënjët e tyre, ekzalton me të vërtetë ndjenjën e krenarisë kombëtare, ndjenjën e kompaktësisë, ndjenjën e flamurit.
E them këtë me shpirt, zemër dhe mendje, aq më shumë sot si shtetas shqiptar. Kjo ndjenjë përkatësie kombëtare, e shoqëruar me sukseset ndërkombëtare, me një imazh të rilindur pozitivisht, përfaqëson një kontribut të madh në historinë moderne të vendit. Të rinjtë që rriten këtu, apo kudo që jetojnë shqiptarët, kanë tashmë modele për të ndjekur, kanë motive jete për të qenë krenarë edhe në rrafsh ndërkombëtar. Skuadra shqiptare shihet me respekt jashtë vendit, po ashtu edhe qytetarët shqiptarë, falë sukseseve futbollistike.
Në intervistat që kam dhënë në mediat ndërkombëtare kam kërkuar të përcjell saktësisht këtë mesazh. Rezultatet na kanë dhënë ndihmë, na kanë dhënë dukshmëri, por rruga vetëm është përcaktuar, dhe ecja është akoma e gjatë dhe në ngjitje.
Nuk është gjë e vogël, nëse sot revista amerikane më serioze jo sportive “The Neë Yorker” i ka kushtuar një artikull të gjatë Kombëtares shqiptare.
Sistemi futbollistik shqiptar është “infektuar” nga ky fermen i ri, që ndikon si pasojë dhe skuadrat e klubeve. Sot Skënderbeu është në garën e Europa League, dhe uroj që shpejt shumë skuadra të tjera mund të përballen në skenën ndërkombëtare.
Për ta mbyllur, ia kushtoj këtë mirënjohje, gjithë futbollistëve të mi, në veçanti atyre që kanë patur më pak hapësirë për të luajtur.
Faleminderit për punën e madhe që keni bërë, për besimin, për përkushtimin, dhe për durimin tuaj. Rezultatet e arritura deri këtu, janë tërësisht merita juaj.
Më lejoni t’ia kushtoj këtë nderim me mirënjohje për rolin e kryer deri tani, gruas sime dhe vajzës sime në këtë rrugë, duke më ndihmuar që të gjej gjithmonë “ drejtimin e duhur”.
Dua të përfundoj duke uruar që objektivat e kësaj Kombëtareje të mund të bëhen objektivat e këtij Vendi, e këtij Kombi.
Ndeshja e ardhshme do të jetë një rast unik dhe i papërsëritshëm për të pohuar pjekurinë tonë. Serioziteti, durimi, dhe besueshmëria janë cilësitë me të cilat ky Vend, kjo Kombëtare mund të shohin kah Europa, duke ndjekur rezultate prestigjioze.
*Fjala e De Biassit me rastin e marrjes së titullit akademik “Honoris Cauza” nga UET. /tesheshi.com/