Ndër gjërat më të bukura që ka loja e futbollit është surpriza, dhe një të tillë e ka përgatitur Mirandes, skuadra nga divizioni i tretë, që eliminon elitarët e Deportivo La Coruna-s në 1/8-tat e Kupës së Mbretit në Spanjë.
Një fitore e thellë, 0-3, në “Riazor” përballë Deportivo-s vendase u ka dhënë mundësi futbollistëve të skuadrës modeste Mirandes të kalojnë në çerekfinalen e Kupës së Mbretit.
Gjithçka shkoi keq për galicianët, që në fund të pjesës së parë u gjendën në humbje pasi Provencio realizoi për mysafirët. Me të filluar pjesa e dytë e lojës, Abdon Prats thelloi epërsinë për miqtë, ndërkohë që Provencio realizoi edhe njëherë tjetër 19 minuta para mbarimit të takimit. Duhet kujtuar se Deportivo-s i mjaftonte dhe një barazim pa gola për t’u kualifikuar, pasi ndeshja e parë ishte mbyllur 1-1.
Sevilla argëtohet me rivalin lokal
Sevilla e siguroi biletën për në çerekfinalet e kupës teksa shkatërroi rivalin lokal, Real Betis-in, në “Sanchez Pizjuan”. 4-0 përfundoi takimi i mbrëmshëm për Sevilla-n, me Reyes-in, Rami-un, Gameiro-n dhe Kakuta-n që shënuan në këtë fitore të rëndësishme për skuadrën e drejtuar nga Unai Emery. /tesheshi.com/