Vendimi i lidershipit të opozitës për të djegur mandantet, ka sjellë dhe njëherë trajtimin e versionit klasik se pas këtij akti qëndron vetë Berisha, i cili kërkon konçensione të forta nga ndërkombëtarët në këmbim të një tërheqjeje nga akti politik ekstrem. Këto koncensione janë garanci që ai apo familja e tij nuk do të preken nga një hetim i mundshëm i SPAK-ut, pas formimit të kësaj prokurorie speciale, e cila pritet të përfshijë në hetim dhe kastën më të lartë politike në vend, për afera të së tashmes e të së kaluarës.
Ka një lexim të këtij zhvillimi që nis ç’prej me një axhendë politike anti-reformë (në drejtësi), ku tashmë po finalizohet ngritja e instancave më kryesore – mes tyre të frikshmet SPAK e BKH – ku veçon dhe mbërritja në Tiranë e prokurores që çoi në burg ish-kryeministrin kroat Sanader. Dhe paralel me këtë zhvillim është acaruar edhe lufta politike, ku bie në sy një protagonizëm i qartë i Berishës pas çdo hapi të ndërmarrë. Dhe kjo pas lajmit se atij dhe familjes së tij, i është refuzuar viza amerikane.
Në këtë zhvillim, është kthyer dhe protagonizmi i fortë i Ambasadës Amerikane, e cila një ditë më parë lëshoi një deklaratë mjaft të ashpër ndaj vendimmarrjes ekstreme të opozitës. Kjo bëri që përfaqësia amerikane në Tiranë të sulmohej me një morri komentesh në rrjete nga militanca demokrate, e nga ana tjetër të riktheheshin zërat për qasje të padrejta të politikës së SHBA, në këtë rast ndaj PD-së.
Por me një vëzhgim të shtrirë në kohë, duket se Berisha ka qenë një i përkëdhelur nga Uashingtoni. Ai e nisi garimin elektoral në politikë me një humbje, siç që ajo e 31 marsit ‘91 përballë PPSH-së, e do ishin amerikanët që nëpërmjet përkrahjes së hapur të ish-ambasadorit Rajerson, do e ngjisnin Berishën në pushtet në vitin 1992.
Deri më 1995 raportet do ishin të ngrohta, kur gjyqi ndaj 6 minoritarëve e më pas zgjedhjet e grabitura të 26 Majit, do çonin në ftohjen e raporteve mes tyre. Amerikanët nuk e kishin më Berishën të preferuarin e tyre. Kjo klimë do përvijohej edhe në vitet e opozitës, gjersa nisi një ndryshim kursi në Uashington aty nga viti 2002, kohë kur Berisha nisi të bëjë të urtin e luajalin, duke shkuar deri në një pakt me Nanon. Më pas do vinte rikthimi në pushtet, kur dhe në kërë rast u ndje një “dorë amerikane”, në mos pro-Berishës, kundër Nanos.
Në vitet e qeverisjes 2005 – 2013 patën si kulm të raportit idilik mes tyre, vizitën e presidentit Bush në Tiranë. Dhe mbërrijmë te 21 Janari, ku në fakt SHBA mbajtën një qëndrim që dhe sot mbetet mister, kur nga goja e ish-ambasadorit Arvizu do të dilte cilësimi si “burrë shteti” për Berishën, e kjo pak ditë pas katër të vrarëve në bulevard. Mister do mbetet dhe reagimi jo aq me nerv nga injorimi i hetimeve të FBI-së që zbuloi shumëçka nga vrasjet e 21 Janarit, aq sa sot pothuajse nuk ka asnjë deklarim amerikan në raste të veçanta, për atë zhvillim të përgjakshëm. Është përmendur Saimir Tahiri për një akuzë ende të paprovuar – deklarata e dy muajve më parë – e aspak Berisha për një krim të provuar. Pas 21 Janarit do vinin dhe zgjedhjet për Tiranën, ku sërish amerikanët mbyllën njërin sy kur mandati i qartë i Ramës – Arvizu ishte llërëpërveshur mbi kutitë e fundit të votimit – kaloi aq abuzivisht te Basha, në sy të të gjithë opinionit.
Ndaj, ka shumë arsye që militanca demokrate të mos e shoh vëngër politikën amerikanë, së paku jo ajo. /tesheshi.com/