Nga Behlul Jashari*
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 shkurt do të duhej të festonte 71-vjetorin. Por, s’ka festë shumë vite. Në këtë 21 shkurt bëhen 14 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm, i padrejtë e i dhunshëm nga Pallati Rilindja që i bëri UNMIK gazetës Rilindja ndërmarrje shoqërore. Ishte mbyllje detyrimisht e gazetës dhe ndërmarrjes. Ishte edhe dëbim kolektiv dhe i dhunëshëm nga puna i gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të gazetës historike Rilindja. Shkelje shumë e rëndë e të drejtave, rast i pashembullt në botën e lirë e demokratike.
Me këtë rast ritheksojmë atë që e kemi theksuar shumë vite:
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit, të udhëhequr nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para 7 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”, krahas titullit “Ministri Bajrami: Qeveria do të përkujdeset për Pallatin dhe për punëtorët e Rilindjes, e gatshme ta ndihmojë daljen e gazetës”.
Ky paralajmërim ishte si rezultat i këtij premtimi dhe të drejtës së ligjëshme, duke besuar se Rilindjen do rifillojë të dalë e pёrditshme edhe para privatizimit me statusin qё ka tё ndёrmarrjes shoqёrore, pas pёrfundimt tё rinovimit tё Pallatit Rilindja qё u bё.
Me rastin e rifillimit të punëve për rinovimin e Pallatit të Rilindjes, më 7 nëntor 2008, ministri i atëhershëm i Administratёs Publike, Arsim Bajrami edhe në konferencën e shtypit me atë rast theksonte premtimin për zgjidhjen e ligjshme që do duhej të bëhej edhe për gazetën tradicinale të Kosovës Rilindja.
“Pallatin e Rilindjes përkohësisht e merr Qeveria nën pëkujdesje, ne do të kemi përkujdesje edhe ndaj punëtorëve të Rilindjes. Punëtorët e Rilindjes i kemi pasë pjesë të procesit…” , theksonte ministri Bajrami.
Punimet për rinovimin e Pallatit të Rilindjes rifilluan pasi ai ishte lënë si gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, pas vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 15 shkurt 2005 për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”. Kjo pasoi insistimet e vazhdueshme të Rilindjes dhe të Agjencisë Kosovare të Mirbesimit (tash Agjencisë Kosovare të Privatizimit) për pronësinë, si dhe përgjigjen në letrën zyrtare të Rilindjes me shkresë poashtu zyrtare përkrahëse të kreut të UNMIK-ut, kryeadministratorit, Harri Holkeri, në 3 nëntor 2003. Holker në letërën dërguar gazetës Rilindja shkruante edhe se, “UNMIK-u do të bëjë gjithë çka është e mundur për të gjetur lokale alternative në mënyrë që kompania juaj të rifillojë punën në sektorin medial”, duke mbështetur edhe në të drejtën e pronësisë, të shkelur nga kryeadministratori para tij, Hans Haeekerup, në kohën e të cilit gazeta e përditëshme tradicionale e Kosovës Rilindja u dëbua nga Pallati i saj.
Meqë edhe pas rinovimit të Pallatit nuk u përmbushën premtimet dhe nuk u bë zgjidhja e duhur e ligjshme për Rilindjen, kjo gazetë iu drejtua atëherë zëvendëskryeministrit dhe ministrit edhe aktual të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili në përgjigjen me shkresë zyrtare tё datёs 2 maj 2012, shprehte sigurime institucionale në emër të qeverisë dhe personale “pёr zgjidhje tё drejtё dhe ligjore tё problemit tё objektit dhe tё punёtorёve tё Rilindjes”…
Në letrën zyrtare të 12 shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja, mes tjerash, ka ritheksuar:
“Emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje dhe në objektet ku kanë qenë.
Por, në rrethanat tona kur Pallatin Rilindja e ka marrë qeveria dhe duhet ta kompensojë, ne privatizimin e gazetës nuk e lidhim me objektin. Kush e blenë gazetën – të drejtën për të qenë trashëgimitar i ligjshëm i emrit dhe traditës së Rilindjes, siguron vetë lokalet e punës”.
Në letrën zyrtare të 12 shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja, mes tjerash, ka ritheksuar kërkesën për kompensimin e punëtorëve në procesin e likuidimit të ndërmarrjes dhe të mos ketë vonesa të mëtejme në këtë proces, si dhe në ndarjen e 20 përindëshit të vlerës së të gjitha pronave përfshirë arkivin pasuri kombëtare e pazëvendësueshme e me vlerë shumë të madhe dhe të vlerës së privatizimit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja.
Është kërkuar edhe që në procesin e likuidimit të ndërmarrjes, kompensimi të bëhet sipas tre padive që i kemi bërë në gjyq, veçmas të padisë së parë (C.nr.521/02) të 14 majit 2002 për dëbimin kolektiv nga puna.
Është kërkuar që kompensimi në procesin e likuidimit të bëhet edhe sipas padisë së dytë (C. nr. 151/03) të 22 prillit 2003 dhe padisë së tretë (C-1573/04) të 30 qershorit 2004, për vlerën e gjithë teknikës e inventarit dhe për të gjitha dëmet e humbjet e shkaktuara.
Besojmë dhe urojmë që gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja – Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja të jetë prioritet i Bordit të ri të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe menaxhmentit të kësaj Agjencie, për zgjidhjen e ligjëshme brenda këtij viti ndërkohë që në këtë muaj shkurti nis viti i 15-të nga dëbimi e mbyllja e kundërligjëshme, e padrejtë dhe e dhunëshme.
*Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)
/tesheshi.com/