Qeveria shqiptare e ka bërë të qartë tashmë së është kundër idesë së Thaçit për “korrigjim kufijsh”, jo me gojën e kryeministrit por me atë të ministrit të Jashtëm.
Megjithatë, nuk ka qenë një “Jo” e prerë dhe e thatë e Bushatit.
Kreu i diplomacisë së Tiranës, e ka shprehur qëndrimin e tij, i nënkuptuar dhe si i qeverisë që përfqason, në një stil diplomatik me shumë nëntekste, ku njëri prej tyre është padakortësia me idenë e presidentit kosovar
“Nuk ka arsye të predikojmë ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar, duke vendosur në kolateral arritjet e mundimshme e transformuese të rajonit tonë, të mundësuara pikërisht për shkak të këtij rendi ndërkombëtar. Ndaj nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën sesi do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo sesi do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo! Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe Pavarësia e saj, e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon.
Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet, as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në ‘konflikte të ngrira’, si pasojë e tolerimit të ‘parimit të rivendosjes’, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Bushati, në një intervistë për të përditshmen Panorama.
Nga ana tjetër, dyshohet se ideja e Thaçit nuk është vetëm e tij. Në krah ka dhe homologun Vuçiç, por me kundërshtar Daçiçin. /tesheshi.com/