Prokuroria e Shtetit ka hapur proçedurën penale, pas informacioneve të marra nga mediet, për rastin e ministrit të ri të Bujqësisë, Nenad Rikallo.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, megjithatë tha se ende nuk kanë nxjerrë ndonjë aktvendim për nisjen e hetimeve ndaj Rikallos.
Ai tha se pas ndërmarrjes së veprimeve të proçedurës penale, atëherë Prokuroria do të vlerësojë nëse ka element për aktvendime tjera dhe vazhdim të fazave tjera të hetimeve.
Sipas tij, kjo fazë do të nxjerrë në pah nëse pretendimet e nxjerra në media qëndrojnë dhe kanë elemente për vepra penale, apo janë thjesht për ndikime politike.
Disa javë më parë, banorë të një ndërtese në kompleksin “Kurrizi” në lagjen Dardania të Prishtinës akuzuan ministrin e sapoemëruar të Bujqësisë, Nenad Rikallo, se i ka keqtrajtuar dhe torturuar shumë qytetarë shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.
Nenad Rikallo është pjesë e Listës Serbe. Para emërimit në postin e ministrit, ai ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./tesheshi.com/