Ministrja në detyrë për dialog Edita Tahiri në një raport dërguar Brukselit ka treguar për marrëveshjet që nuk po i zbaton Serbia.
Tahiri përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit ka përmendur tri marrëveshje të bllokuara plotësisht nga Serbia- ato për energjinë, drejtësinë dhe diplomat, ndërsa ka treguar edhe për marrëveshje tjera me Serbinë që janë zbatuar deri në njëfarë mase.
Tahiri në raportin drejtuar kryeqytetit të Europës ka përmendur edhe provokimet e Serbisë.
“Ju mund të rikujtoni provokimet destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës në dhjetor të vitit 2016 dhe janar të vitit 2017, përmes një muri të çuditshëm të ndërtuar në Mitrovicë, një treni të çuditshëm që përpiqej të hynte në Kosovë, fletë arresti arbitrar për z. Ramush Haradinaj, i cili u mbajt në mënyrë të panevojshme për disa muaj në Francë”, thuhet në raport.
Tahiri më tutje tregoi se Kosova e mbrojti sovranitetin e saj.
“Qeveria e Kosovës iu përgjigj sfidave të tilla me vendosmëri dhe maturi, mbrojti sovranitetin dhe integritetin dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, u stabilizua situata”, thuhet më tutje në raport.
Tahiri përmendi edhe ndikimin e Rusisë në raportet serbi-Kosovë dhe në rajon.
“Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë”, vijon raporti.
Këta skenarë Tahiri i cilësoi të rrezikshëm.
“Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm, të cilët kundërshtohen nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik”, shkroi Tahiri.
Tahiri në raport konstaton se Serbia e Kosova nuk duhet t’ua lënë problemet e tashme brezave të ardhshëm.
“Kosova dhe Serbia jo vetëm që do të sigurojnë të ardhmen e tyre evropiane, por gjithashtu do të mënjanojnë çdo mosmarrëveshje ndërshtetërore që u mundëson brezave të ardhshëm të të dy shteteve të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë”, thuhet në raport./tesheshi.com/