Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka derdhur lot dhe ka predikuar për unitetin kombëtar gjatë funeralit të së premtes për tre nga gjashtë viktimat, të cilët u vranë në një xhami në Kebek nga një person i armatosur natën e së dielës.
Ai iu bashkua mijëra personaliteteve, udhëheqësve të komunitetit, dhe qytetarëve në qendrën për komunitete të Kebek City për një shërbim përkujtimor.
Ai tha se vrasjet duhet të shërbejnë për figurat publike si reflektim për ato fjalë dhe deklarata që i bëjnë ata nëpërmjet shtypit, njofton The Toronto Star.
“Është koha që ata të cilët qëndrojnë prapa këtyre mesazheve – qofshin ata politikanë, moderatorë të kanaleve të radios apo TV-së apo personalitete të tjera publike – të kuptojnë dëmin që mund të shkaktojnë me fjalët e tyre”, tha Trudeau.
“Të përballur me këto fjalë që lëndojnë dhe përjashtojnë, mbi ne bie barra që të dalim në mbrojtje të vlerave që janë të rëndësishme për ne.”
Ky shërbim përkujtimor u mbajt për nder të Mamadou Tanou Barry, 42 vjeç; Ibrahima Barry, 39 vjeç; dhe Azzedine Soufiane, 57 vjeç.
“Çdo njëri prej nesh është përgjegjës për udhëheqjen e luftës kundër padrejtësisë dhe diskriminimit në jetën e përditshme, për të vepruar sipas mënyrës që përfaqëson atë kush jemi ne, që përfaqëson Kanadanë, që përfaqëson vendin që Azzedine Soufiane, Mamadou Tanou Barry dhe Ibrahima Barry e kanë dashur kaq shumë”, tha Trudeau.
Trudeau u tha mijëra pjesëmarrësve në Maurice-Richard Arena të Kuebekut të enjten se masakra kishte forcuar solidaritetin e Kanadasë me bashkësinë myslimane.
Trudeau iu drejtua turmës me përshëndetjen islame, duke thënë: “Selam Alejkum” që do të thotë ” Paqja qoftë me ju”, që u përshëndet nga masa prezente me duartrokitje. /tesheshi.com/